Data 10 gusht është shënuar me të kuqe në kalendarin e tifozëve të Barcelonës. Klubi katalanas ka planifikuar që atë ditë të zhvillojë ndeshjen tradicionale të trofeut Joan Gamper, e cila pritet të shënojë edhe rikthimin në ‘Spotify Camp Nou’, stadium historik që po kalon një proces të madh rikonstruksioni.
Por pavarësisht entuziazmit, gjithçka varet nga një detaj ende i pazgjidhur: leja për hapjen zyrtare të stadiumit, e cila sipas raportimeve nga TV3, nuk pritet të mbërrijë përpara fillimit të gushtit. Klubi ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm pranë Bashkisë së Barcelonës këtë javë dhe shpreson që leja e aktivitetit të miratohet brenda mesit të muajit.
Megjithatë, bashkia i ka bërë të qartë klubit se procesi do të jetë i njëjtë si për çdo ndërtim tjetër: përpara dhënies së lejes, do të kryhet një inspektim i plotë, me fokus të veçantë te siguria. Vetë kryebashkiaku Jaume Collboni ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë përjashtim për Barçën.
Në fund të korrikut pritet të zhvillohet një simulim i ditës së ndeshjes, për të testuar funksionalitetin e strukturave të reja, përfshirë hyrje-daljet e tifozëve dhe sigurinë.
Pavarësisht dëshirës për të luajtur trofeun Gamper në shtëpi, klubi nuk ka zbuluar ende kapacitetin që do të jetë i disponueshëm për publikun. Ajo që dihet është se Barcelona nuk do të luajë ndeshje zyrtare në ‘Spotify Camp Nou’ para mesit të shtatorit.
Në fakt, për të fituar kohë, Barça ka kërkuar që tri javët e para të La Liga-s t’i zhvillojë jashtë fushe dhe do të jetë në javën e katërt (më 13 ose 14 shtator) që skuadra e drejtuar nga Hansi Flick do të luajë në stadiumin e saj të ri. Valencia do të jetë kundërshtari i parë zyrtar në “shtëpinë” e rindërtuar të klubit katalanas.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: