Aksidenti tragjik që i mori jetën futbollistit të Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllait të tij André Silva, lojtar i Penafielit, ka tronditur botën e futbollit dhe opinionin publik ndërkombëtar. Dy vëllezërit ishin duke udhëtuar drejt Santanderit, ku do të hipnin në një traget për në Angli. Udhëtimi ishte organizuar për të shmangur fluturimin me avion, i cili i ishte ndaluar Jota-s për arsye shëndetësore, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri.
Sipas të dhënave zyrtare, ngjarja ndodhi në autostradën A-52 në drejtim të Benaventes, teksa dy futbollistët ndodheshin në një Lamborghini Huracán të marrë me qira. Në përpjekje për të parakaluar një automjet tjetër, një nga gomat e makinës shpërtheu, çka solli humbjen e kontrollit të mjetit, daljen nga rruga dhe shpërthimin në flakë të automjetit.
Sipas burimeve pranë hetimit, ekspertiza paraprake ka konfirmuar se automjeti po lëvizte me një shpejtësi dukshëm më të madhe se kufiri i lejuar në autostradë (120 km/h). Ky konkluzion është arritur përmes analizës së gjurmëve të gomës së automjetit në asfalt. Gjithashtu, bazuar në provat e mbledhura deri më tani, është konfirmuar se drejtuesi i automjetit në momentin e aksidentit ka qenë vetë Diogo Jota.
Hetimet janë në fazën përfundimtare, por këto detaje tronditëse hedhin më shumë dritë mbi dinamikën e tragjedisë që i kushtoi jetën dy të rinjve me një të ardhme të ndritur përpara.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: