Reali i Madridit do të luajë nesër në mbrëmje kundër PSG-së (9 korrik, ora 21:00), në gjysmëfinalet e Kupës së Botës për Klube. Një ndeshje në të cilën Ksabi Alonso duhet të zgjidhë enigmën e formacionit.
Pjesa e parë që ai duhet të gjejë dhe të përshtatë është një zëvendësues për Dean Hausen.
Qendërmbrojtësi u përjashtua me karton të kuq kundër Dortmundit dhe do të humbasë ndeshjen kundër PSG-së. Mungesa e Hausen është një problem i rëndësishëm për Xabi Alonson, sepse ai ka mbetur pa një lojtar që ofron siguri në vijën e mbrojtjes dhe mbi të gjitha, gjykim kur bëhet fjalë për daljen nga zona me topin në këmbë.
Mesfushori bask ka Rudigerin dhe Asension si të vetmit qendërmbrojtës të shëndetshëm dhe gjithçka tregon se të dy do të luajnë që nga minuta e parë.
Por nuk përjashtohet mundësia që Alonso të zgjedhë të luajë me Tçuamenin në krah të Rydiger në qendër të mbrojtjes dhe të lërë në stol Asension, me mbrojtësin që ka pasur jo pak probleme me formën e tij në turneun amerikan të Madridit.
Nëse Alonso vendos ta aktivizojë francezin si qendërmbrojtës, kjo mund të sillte të tjera lëvizje në formacion.
Mbi të gjitha, Alonso do të duhej të riorganizonte mesfushën. Arda Guler, Valverde dhe Bellingam janë të gjithë lojtarë të rregullt në mesfushë dhe mbetet për t’u parë se çfarë formacioni do të përdorë Xabi Alonso.
Nëse zgjedh një mbrojtje me katër lojtarë, Modriç ose Sebajos do të kishin një shans për të hyrë në fushë që nga minuta e parë.
Sulmi është vendi ku Alonso mund të ketë më shumë dyshime. Vinicius, Gonzalo Garsia dhe Mbape luajnë për dy vende. Duke gjykuar nga ndeshjet e mëparshme, dy të parët pritet të jenë titullarë.
Megjithëse kjo do të thoshte lënien jashtë të francezit, i cili do të përballet me ish-ekipin e tij për herë të parë që pas transferimit në Spanjë.
Por zgjedhja e trajnerit nuk duket shumë e thjeshtë në këtë rast. Lënia në stol natyrisht që do ta zemëronte jo pak Mbapenë. Ndonëse trajneri mund të jetë i justifikuar se sulmuesi francez nuk është ende në 100% që pas virusit që e detyroi të shtrohej në spital në SHBA.
Opsioni tjetër është që Alonso të fillojë me një 4-3-3 me Gonzalo Garsian, Mbape dhe Vinicius në fushë nga minuta e parë. Diçka që duket e rrezikshme kundër PSG-së.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: