Kombëtarja/ Asani shqetëson Silvinjon, detajet për Europianin

Kombëtarja/ Asani shqetëson Silvinjon, detajet për Europianin

09:18, 03/05/2024

Teksa presin që kampionatet të përfundojnë, trajnerët e ekipeve kombëtare po vijojnë punën e tyre për t’u përgatitur në kuadër të Europianit 2024, i cili do të zhvillohet në Gjermani.

Gjithsecili duke vëzhguar, mbajtur shënime, biseduar me lojtarët, po përgatitet në mënyrën e vet për këtë event kaq të rëndësishëm, sidomos për një Kombëtare si Shqipëria që merr pjesë për herë të dytë në historinë e saj.

Grumbullimi nga trajneri Silvinjo do të fillojë pas 26 majit, datë kjo kur shumica e futbollistëve kuqezi do të kenë përfunduar angazhimet e tyre me klubet respektive, paçka se mund të ketë edhe ndonjë lojtar si rasti i Bares që përfundon kampionatin me Espanjolin në 2 qershor, apo Jasir Asanit që nuk i ndërpritet kampionati sepse luan në Korenë e Jugut.

Në rastin e Asanit, FSHF-ja do të bëjë kërkesë te klubi i Guangju dhe kjo nuk përbën problem.

Ajo që shqetëson Silvinjon është forma e Jasirit, i cili ka shkuar “para kohe me pushime”, duke iu referuar faktit se nuk po grumbullohet prej shumë ndeshjesh me ekipin e tij për shkak se ka pasur një përplasje me klubin në muajin janar.

Kohë merkato dhe sulmuesi i krahut kërkonte të rikthehej në futbollin europian, por pretendimet e koreano-jugorëve ishin të larta, çka nuk mundësuan një transferim të mundshëm.

Kështu mbetet problem për trajnerin pasi ndeshjet e vetme që Asani ka luajtur janë ato me Kombëtaren në muajin mars. Gjithsesi, çdo që mbetet për t’u vlerësuar nga stafi teknik në kohën e grumbullimit.

Data 13 maj është afati i fundit kur UEFA duhet të lajmërojë trajnerët e ekipeve kombëtare për numrin e lojtarëve që do të lejohet në listën përfundimtare.

Do të jenë 23 apo 26, kjo pritet t’u komunikohet federatave ndoshta edhe para afatit të fundit.

Gjithçka do të vendoset nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s në mbledhjen e radhës.

Kështu, pasi të shpallet lista duke bërë vlerësimet përfundimtare, Kombëtarja shqiptare do të zhvillojë një fazë përgatitore në Austri.

Temperaturat optimale dhe kushtet që ofrohen, do t’u vijnë në ndihmë kuqezinjve për t’u përgatitur sa më mirë.

Faza përgatitore do të mbyllet me dy miqësore që ekipi përfaqësues do të luajë kundër Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit.

Më 2 qershor ekipi do të udhëtojë drejt Hungarisë sepse një ditë më pas do të luajë miqësoren e parë, ndërsa më datën 7 sfidën e dytë me azerët.

Të dyja takimet do të luhen në stadiumin “Haladas SportKomplexum”, në Hungari.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco