Tenis/ Alcaraz i shqetësuar si kurrë më parë: Po ushqehem dhe stërvitem mirë, por trupi nuk përgjigjet

Tenis/ Alcaraz i shqetësuar si kurrë më parë: Po ushqehem dhe stërvitem mirë, por trupi nuk përgjigjet

17:46, 25/04/2024

Carlos Alcaraz përgatit për ndeshjen e parë në turneun e Madridit, atë ndaj tenistit nga Kazakistani, Shevchenko. Të gjithë presin që në këtë event, spanjolli të mbërrijë në finale dhe të sfidojë pikërisht rivalin e tij më të madh, Jannik Sinner.

Megjithatë, vetë tenisti nga Murcia nuk është i sigurt rreth aspektit fizik dhe problemet e fundit duket se kanë sjellë shumë dyshime te 20-vjeçari. Alcaraz, shprehet se po ushqehet dhe stërvitet mirë, por nuk e kupton se përse trupi i tij nuk është ende në maksimum.

“E vërteta është se shpeshherë nuk e kuptoj këtë situatë që po kaloj. Pyes veten përse të gjitha këto shqetësime kur po bëj gjithçka mirë. Doja të merrja pjesë në Montecarlo, ishte nëj turne që doja ta luaja. E kisha provuar vetëm një herë dhe isha shumë entuziast, në fund nuk mora pjesë dhe isha me të vërtetë shumë i inatosur.

Kur dëmtohesh, mendimet pozitive thuajse zhduken. Po flej gjumë mjaftueshëm, po ushqehem dhe stërvitem mirë, atëherë përse trupi nuk përgjigjet dhe vijnë kaq shumë probleme fizike?!

Jam 20-vjeç dhe trupi im ende nuk është gati, ndoshta do të duhet pak kohë derisa fiziku im të mësohet me të gjithë këtë ngarkesë. Mendoj se duke u kujdesur për veten këto vite, do të përmirësohem. Por, ndonjëherë është e vështirë. Seancat e fundit stërvitore kanë qenë pozitive.

Objektivi? E përsëris se dua të luaj ndeshjet dyshe në Lojërat Olimpike me Rafael Nadal. Nuk kam folur ende me të rreth kësaj teme, edhe pse jemi takuar në turnetë e fundit. E vërteta është se nuk kam guxuar t’i them për këtë ide. Për mua është një ëndërr, diçka që me entuziazmon shumë të zbres në fushë bashkë me të. Do të ishte e mrekullueshme të isha bashkë me Nadal në Olimpiadën time të parë.

Mund të luaj me Nadal edhe në “Laver Cup” dhe ta kem atë gjithashtu si trajnerin tim. Do të ishte vërtet e këndshme”, u shpreh Alcaraz.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco