Lajmi i fundit

SYRI DIGJITAL/ Pse po sulmohen mediat nga mazhoranca socialiste?

FSHF-ja sqaron situatën me biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki: Kishim mbi 300 mijë kërkesa

FSHF-ja sqaron situatën me biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki: Kishim mbi 300 mijë kërkesa

16:33, 17/09/2023

FSHF-ja ka sqaruar situatën në lidhje me biletat e ndeshjes Shqipëri -Çeki në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset “EURO 2024”.

Takimi i radhës i ekipit tonë Kombëtar, Shqipëri-Republika Çeke, që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” më datë 12 tetor, në orën 20.45 është pa diskutim një ndeshje me interes shumë të lartë nga publiku shqiptar që jeton brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Këtë sezon kualifikues për shitjen e biletave, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur në dispozicion të publikut portalin ebileta.al.

Kjo me të vetmin qëllim që sportdashësit që duan të ndjekin ndeshjet e ekipit Kombëtar në shtëpi apo në transfertë, ta kenë sa më të lehtë e komode rezervimin dhe blerjen e tyre.

Për këtë ndeshje kemi vepruar dhe ndjekur të njëjtat procedura dhe rregulla si në ndeshjet me Moldavinë dhe Poloninë ku secili aplikant mund të blejë jo më shumë se 4 bileta.

FSHF ka njoftuar fillimin e procesit ditën e premte, datë 15 shtator.

Por për arsye të mbingarkesës e radhës së madhe të aplikantëve sistemi ka pasur disa herë rënie, të cilat janë stabilizuar dhe shitja ka filluar në orën 21.15 siç është njoftuar në kanalet tona zyrtare të komunikimit.

Në portalin e biletarisë dhe në faqen zyrtare të Federatës kanë qenë mbi 300 mijë persona ne pritje në orët para dhe gjatë shitjes së biletave.

Biletat e nxjerra në shitje në një kohë rekord janë mbaruar. Në të njëjtën kohë dëshirojmë të saktësojmë se biletat e kërkuara nga tifozeritë e organizuara që mbështesin ekipin kombëtar në ndeshjet brenda dhe jashtë vendit janë të rezervuara dhe i shpërndahen tifogrupeve të cilët bëjnë shpërndarjet për anëtarët e tyre.

Rastet e individëve që kanë bërë pagesa dhe nuk kanë arritur të marrin biletën nga portali biletarisë janë zgjidhur të gjitha me sistemin bankar që ka kthyer mbrapsht të gjithë pagesat e kryera.

Falenderojmë të gjithë tifozët për interesimin dhe kërkojmë e dëshirojmë të mirëkuptohemi nga ta për mosplotësimin e të gjithë kërkesave të tyre.

Çdo stadium i ndërtuar do të ishte i pamjaftueshëm për të përmbushur kërkesat për këtë ndeshje.

Federata Shqiptare e Futbollit uron që të kemi rezultat pozitiv në këtë ndeshje të rëndësishme të ekipit kombëtar në rrugëtimin drejt Kampionatit Evropian dhe të gjithë së bashku të festojmë sukseset e djemve kuqezi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco