Silvinjo kërkon të përforcojë mbrojtjen, mund të rikthejë në skuadër një nga heronjtë e Europianit

Silvinjo kërkon të përforcojë mbrojtjen, mund të rikthejë në skuadër një nga heronjtë e Europianit

11:33, 25/08/2023

Forma e mirë dhe garancia në mbrojte po i rrit kuotat Arlind Ajetit për rikthimin e tij në kombetaren shqiptare. Mbrojtësi i qendrës ka bërë një nisje të mirë të sezonit në Superligën rumune me Kluzhin, ku, përveç paraqitjeve të shkëlqyera, në katër ndeshjet e zhvilluara ka shënuar edhe një gol.

Për herë të fundit Ajeti u grumbullua shtatorin e kaluar, kur Edi Reja i besoi një vend titullari në ndeshjen ndaj Izraelit në Ligën e Kombeve. Tani, një vit më vonë, 29-vjeçari pritet që të rikthehet në ekipin kombëtar nga trajneri Silvinjo për ndeshjet e shtatorit në kualifikueset e Europianit 2024, që do të zhvillohet në Gjermani verën e ardhshme.

SITUATA- Edhe pse me ulje e ngritje në vitet e fundit, Ajetin e favorizon eksperienca që ka. Ai ka luajtur në Serinë A, Serinë B, apo edhe në Europianin e 2016-ës, ku Shqipëria mori pjesë. Ndërkohë, sezonin e kaluar ishte një edicion i mirë për të, pasi me Pordenonen në Serinë C luajti 33 ndeshje dhe shënoi 6 gola, rekord personal për një sezon. Jo më kot erdhi transferimi te Kluzhi, aty ku mbrojtësi po shfaq një formë të mirë në javët e para dhe është bërë menjëherë një pikë kyçe në repartin e mbrojtjes për ekipin rumun.

SHANSET- Duke ditur që kundërshtarët e radhës, si Çekia dhe Polonia, janë të fortë në luftën në ajër, Ajeti mund të themi se është mbrojtësi i duhur për të neutralizuar një rival me një mënyrë të tillë loje. Ai është një pikë e fortë në goditjet standarde, si në fazën mbrojtëse, por edhe kur ato janë në favorin tonë, me kërcimin e tij gjen shpesh golin me kokë. Kështu Silvinjo ka menduar që t’i japë një shans Arlind Ajetit për dy përballjet e radhës, që janë tepër të rëndësishme për fatet e Shqipërisë në këto kualifikuese, me Çekinë më 7 shtator dhe Poloninë tri ditë më vonë.

KONKURRENCA- Aktualisht në mbrojtjen kuqezi, lojtarët që Silvinjo pritet t’u besojë janë Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli dhe Frederik Veseli, ndërkohë që në pikëpyetje për këto dy ndeshje është i riu Adrian Bajrami. Marash Kumbulla është i dëmtuar, ndërsa Enea Mihaj nuk dihet nëse ka ndonjë shqetësim, pasi në dy ndeshjet e para të Famalikaos, klubit të tij në Superligën portugeze, nuk ka qenë i grumbulluar me ekipin. Kështu që për Ajetin do të ketë më shumë hapësirë në listën që braziliani pritet të publikojë këtë fundjavë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco