CHAMPIONS/ Sfida me BATE-n, 2.1 milionë euro në lojë. Çfarë e motivon Partizanin

CHAMPIONS/ Sfida me BATE-n, 2.1 milionë euro në lojë. Çfarë e motivon Partizanin

09:33, 18/07/2023

Sot, ora 20:00, në stadiumin e Mezokovezd, Partizani sfidon BATE Borisovin për të vulosur fatin në Champions League. Ndeshja e parë është mbyllur me shifrat 1-1 dhe në Hungari, në fushë asnjanëse dhe pa tifozë, skuadra e Zoran Zekiçit do të tentojë kualifikimin. Natyrshëm, një ndeshje në Europë për lojtarët ndoshta nuk ka adrenalinën e një derbi ndaj Tiranës, por për drejtuesit mund të jetë më shumë se aq. Partizani ka një sërë motivesh për ta mposhtur BATE Borisovin.

OBJEKTIVI – Megjithëse klubi nuk e ka deklaruar publikisht, objektivi i kësaj vere është arritja në grupet e Ligës së Konferencës. Kalimi i kësaj ndeshjeje me sukses është një hap gjigant drejt këtij objektivi.

Nëse Partizani kalon BATE Borisovin, në turin e dytë ndeshet me Arisin e Limasolit dhe nëse kalon edhe qipriotët, i ka të sigurta minimalisht grupet e Ligës së Konferencës. Në rast se të kuqtë eliminohen në raundin e dytë të Champions League, shkojnë në turin e tretë të Ligës së Europës dhe nëse eliminohen edhe në turin e tretë të këtij kompeticioni, shkojnë në “play off” të Ligës së Konferencës.

FINANCAT – Partizani është angazhuar maksimalisht që të bëjë më të mirën sot ndaj BATE Borisovit, sepse kjo përkthehet me shumë para. Klubi i kuq aktualisht ka siguruar nga UEFA 260 mijë euro si ekip kampion dhe 100 mijë euro si pjesëmarrës në turin e parë të Championsit.

Në rast se kalon këtë tur, do të merrte edhe 100 mijë euro të tjera si pjesëmarrëse dhe 350 mijë euro të tjera në rast eliminimi. Nëse skualifikohen në raundin e dytë të Champions-it, “demat” shkojnë në turin e tretë të Europa League, ku në rast eliminimi do të merrnin plot 550 mijë euro.

Më pas do të shkonin në “play off” të Ligës së Konferencës, ku do të merrnin edhe 750 mijë euro në rast eliminimi. Në total, edhe nëse të kuqtë do të pësonin vetëm humbje në raundet në vijim në Ligën e Europës dhe atë të Konferencës, do të kishin të sigurta mbi 2.1 milionë euro.

Image

PËR SUPERIOREN – Partizani është skuadra që ka më shumë mundësi për t’i dhënë pikë Superiores në renditjen europiane të ligave. Kampionati ynë është pranë limitit të përfaqësimit me tri skuadra në Europë, nga katër që ka aktualisht dhe triumfet e Partizanit do ta ndihmonin të konsolidohej dhe të ruante përfaqësimin me 4 skuadra.

PËR VETEN – Të korrësh sukses në Europë, aq më shumë në Champions, përveç parave, të jep edhe kredite në renditjen e UEFA-s për klube dhe të shton shanset që në short të renditesh në vazon e favoriteve, ku përballesh me rivalë më të dobët. Ky është tjetër motiv për “demat”.

PRESTIGJ – Që një skuadër shqiptare të shkëlqejë në Europë, është një prestigj i madh dhe të jep një tjetër “stad” në arenën vendëse.

HISTORI – Partizani përfaqësohet në Champions League për herë të 11-të në këtë sezon, por kurrë nuk ka arritur ta kalojë turin e parë. I vetmi sukses që të kuqtë kanë në Europë, është ai i vitit 2016, kur të kuqtë e nisnin nga turi i dytë dhe eliminonin Ferencvaroshin. Gjithsesi, suksesi në turin e parë nuk ka ardhur ende dhe nëse “thyhet” BATE, do të jetë historike.

REKLAMË – Kompeticionet europiane janë një reklamë e madhe për lojtarët dhe mundësinë për t’i rritur çmimin e më pas për t’i shitur. Kështu, çdo futbollist është i motivuar të japë maksimumin, pasi është në sytë e shumë njerëzve, që janë gati të shpenzojnë për ta nëse shohin cilësi dhe tregues të një lojtari të nivelit të lartë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco