Detaje të reja të rënda nga kërcënimi i arbitrit të Kastrioti-Bylis, shantazhohen edhe zyrtarë të lartë të FSHF-së

Detaje të reja të rënda nga kërcënimi i arbitrit të Kastrioti-Bylis, shantazhohen edhe zyrtarë të lartë të FSHF-së

22:48, 10/04/2023

Arbitri kryesor i ndeshjes, që u anulua mes Kastriotit dhe Bylisit, ishte caktuar Juxhin Xhaja.

Gazeta “Panorama Sport” mëson se gjyqtari është njoftuar të shtunën në mbrëmje vonë nga FSHF-ja për ndeshjen, por dje paradite (e diel) ka marrë telefonata të çuditshme.

Duke e ndierë rrezikun, për shkak edhe të një eksperience të gjatë në arbitrim, kryesori Xhaja nuk ka preferuar t’u përgjigjet telefonatave që i vinin nga numra të panjohur.

Mirëpo kërcënuesit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kanë shkuar te familjarët e arbitrit dhe i kanë kërcënuar me jetë.

Situata është bërë shqetësuese, pasi mësohet se bashkëshortja e gjyqtarit është shtatzënë dhe pavarësisht se kërcënimet nuk kanë qenë në adresë të saj, Xhaja ka bërë kallëzim në polici i alarmuar nga situata.

Mësohet se i shqetësuar ka njoftuar eprorët e tij, duke i vënë në dijeni për kërcënimet që ka pasur dhe për pasigurinë që ka ndierë për të afërmit.

Burime bëjnë me dije se ai u ka thënë shefave të vet se nuk kishte ndërmend të shkonte në ndeshjen e Kamzës dhe për pak kohë ka vendosur ta fikë telefonin.

KËRCËNOHEN EDHE ZYRTARËT – Pasi Xhaja ka bërë kallëzimin dhe ka fikur telefonin, kërcënuesit nuk kanë ndaluar aty. Ata kanë nisur telefonatat kundrejt drejtuesve të arbitrave dhe kur kanë kuptuar se askush nuk po u hapte më rrugë, mësohet se kanë shkuar më lart…

Telefonata kërcënuese kanë marrë edhe drejtues të lartë të FSHF-së. Gjithnjë me të njëjtin pretendim: “Thuaju arbitrave ta mbajnë mirë ose…”.

PIKA QË DERDHI KUPËN –  Pas kërcënimeve që u janë bërë gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë të FSHF-së, kanë qenë drejtuesit e kësaj të fundit që në mesditë kanë dalë në konkluzionin se ndeshja Kastrioti-Bylisi nuk mund të luhej. Jo vetëm kaq, por drejtuesit e federatës u kanë kërkuar arbitrave të bëjnë kallëzim në polici dhe të shpjegojnë fije e për pe se çfarë ka ndodhur.

Po të njëjtën gjë federata ua ka kërkuar edhe arbitrave të ndeshjes së një jave më parë, Kastrioti-Laçi 2-1. Edhe ata janë kërcënuar me jetë dhe kanë njoftuar ndërkohë organet kompetente.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco