Nis faza e dytë e 'Football Coaching Course', flet Jarl Torske: Kontribut për zhvillimin e futbollin e vajzave në Shqipëri që të rritet

Nis faza e dytë e 'Football Coaching Course', flet Jarl Torske: Kontribut për zhvillimin e futbollin e vajzave në Shqipëri që të rritet

15:09, 04/03/2023

Kursi “Football Coaching Course” për trajnere vajza, që organizohet në bashkëpunim mes FSHF-së dhe Federatës Norvegjeze të Futbollit ka vijuar me fazën e dytë. Bëhet fjalë për një program mjaft interesant edukativ që vjen në edicionin e pestë dhe është i financuar nga qeveria norvegjeze për trajneret vajza. Ky program synon rritjen e cilësisë dhe numrit të tyre në futboll, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në 5 shtete te tjera të Ballkanit.

Këtë herë “Football Coaching Course” po zhvillohet në Tiranë dhe do të zgjasë 2 ditë, ku do të ketë seanca teorike dhe praktike, ndërsa vajzat pjesëmarrëse në përfundim të kursit pajisen me një certifikatë që vlen për licencën e trajnerit të nivelit C.

I pranishëm në këtë modul të dytë të kursit ishte edhe instruktor i Federatës Norvegjeze të Futbollit, Jarl Torske, i cili ka një karrierë shumë të pasur si trajner me ekipet kombëtare të Norvegjisë, si për djem ashtu edhe për vajza.

Në një prononcim për Fshf.org, trajneri i mirënjohur shpreh privilegjin që merr pjesë në këtë kurs dhe vlerëson ambientin pozitiv që ka gjetur me këtë grup e dëshirën e madhe të vajzave për të marrë njohuri të reja si trajnere.

“Unë përfaqësoj Federatën e Futbollit të Norvegjisë në këtë kurs, që po organizojmë me vajzat futbolliste shqiptare. Qëllimi im është të kontribuojmë në zhvillimin e trajnereve vajza dhe gra në Shqipëri. Unë kam një eksperiencë të gjatë si trajner me ekipet kombëtare të Norvegjisë në të gjitha nivelet, si për djem ashtu dhe për vajza, dhe për mua është një privilegj që të vij në Shqipëri dhe të jap kontributin tim për një kurs të tillë. Kemi gjetur një ambient shumë optimist, vajzat duan të mësojnë dhe është kënaqësi të punoj me Federatën Norvegjeze në këtë projekt”, – thotë Torske, duke shtuar se fokusi i këtij moduli është të marrëdhëniet njerëzore që krijohen mes trajnereve dhe futbollisteve dhe si të ndërveprojnë mes tyre në grup.

“Kjo është pjesa e fundit e këtij kursi, në pjesën e parë kemi punuar me aspektin e aftësive individuale, ndërsa në këtë fazë fokusi është te aftësitë në marrëdhëniet e trajnerëve me të rinjtë, duke filluar që nga futbolli i fëmijëve e për të vazhduar me futbollin e të rinjve. Në futbollin e të rinjve është e rëndësishme të kuptosh se si sillet një futbollist me pjesën tjetër të grupit. Pra jemi të përqendruar në aspektin e marrëdhënieve njerëzore në skuadër. Sot do të bëjmë edhe leksione në praktikë, do të punojmë me mbrojtësin e parë dhe pjesës tjetër të skuadrës si edhe me sulmuesin kryesor me pjesën tjetër të skuadrës. Si do të ndërveprojnë ata në fushën e lojës. Do të jetë një seancë shumë interesante për të kaluar përtej aspektit individual”, – thekson trajneri norvegjez.

Gjithashtu ai ka edhe një apel për vajzat që aspirojnë të bëhen trajnere futbolli, teksa i sheh ato di një frymëzim edhe për brezat e rinj me shpresën që të afrohen sa më shumë vajza në futboll e duke sjellë më shumë masivizim të këtij sporti mes vajzave.

“Shumë prej trajnereve këtu janë shumë të reja. Unë në moshën e tyre isha akoma në futbollist, kështu që këto vajza dhe gra për fat të mirë kanë shumë vite përpara si trajnere dhe ky është hapi i parë edukativ. Më pas ata mund të vazhdojnë gradualisht me kursin e licencës UEFA B, UEFA A dhe UEFA Pro dhe ne shpresojmë shumë që t’i motivojmë ato që të vazhdojnë si trajnere profesioniste dhe veçanërisht duke trajnuar vajza futbolliste, duke frymëzuar vajza të reja. Në fund shpresojmë që të japin një kontribut për të zhvilluar futbollin e vajzave në Shqipëri që të rritet edhe më tej”, – shprehet Jarl Torske.

Përveç certifikatës që lëshohet nga Federata Shqiptare e Futbollit pas përfundimit të kursit çdo vajzë pjesëmarrëse merr falas një bazë materiale të dhuruar nga Federata Norvegjeze, teksa bëhet edhe Ambasadore e Futbollit të Vajzave në zonën apo qytetin ku jeton.

Në këtë edicion marrin pjesë vajza që aktualisht luajnë futboll në nivel klubesh e të cilat janë njëkohësisht të angazhuara edhe në drejtimin e seancave stërvitore për ekipe fëmijësh, studente të Universitetit të Sporteve si edhe mësuese të edukimit fizik nga e gjithë Shqipëria.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco