'Jam i zhgënjyer me qëndrimin e FIFA-s', Dalic tregon arsyet pse bojkotoi çmimet 'The Best'

'Jam i zhgënjyer me qëndrimin e FIFA-s', Dalic tregon arsyet pse bojkotoi çmimet 'The Best'

17:21, 28/02/2023

 

Zlatko Daliç ka kritikuar edicionin e fundit të çmimeve “The Best”. Trajneri kroat, përmes një komunikate të publikuar nga Federata e Futbollit të Kroacisë, akuzon FIFA-n dhe zgjedhjet e saj për çmimet që i dorëzoi lojtarëve dhe trajnerëve më të mirë.

Trajneri, i cili vendosi të mos marrë pjesë në këto çmime, mendon se Kroacia duhet të ishte vlerësuar më shumë pas vendit të tretë në Botërorin e zhvilluar në Katar dhe atë të dytë në Botërorin e Rusisë (2018), përveçse është kualifikuar në 4 më të mirat e Ligës së Kombeve.

“Jam i zhgënjyer me qëndrimin e FIFA-s. Konsideroj se në bazë të të gjithë asaj që kemi arritur, ne meritojmë më shumë respekt nga organi drejtues i futbollit botëror. Jemi e vetmja skuadër që kemi qenë mes katër më të mirave në ciklin mes Botërorit dhe kësaj Lige Kombesh. Së bashku me Francën, jemi e vetmja skuadër që kemi fituar medalje në dy botërorët e fundit”, shprehet Dalic.

Në listën e lojtarëve më të mirë ishte vetëm një kroat, Luka Modric. Për Dalic, mesfushori i Real Madridit ishte përjashtimi që konfirmoi rregullin: FIFA “injoroi” Kroacinë.

“Përveç Modric, ku janë të tjerët? Kam respekt të jashtëzakonshëm për të gjithë ata që u vlerësuan, por seriozisht që nuk kishte vend për Mateo Kovacic? Po për Gvardiol, i cili ishte mes më të mirëve të Botërorit dhe Bundesligës”, shton Zlatko Dalic.

“Ndjehem sikur nuk morëm respektin që meritonim. Si oraret që kishim në Botëror, ashtu edhe cilësia e arbitrimit, veçanërisht në gjysmëfinale, më bënë të ndjeja se nuk respektohej skuadra kroate”, theksoi më tej trajneri kroat.

Krahas këtij respekti, Dalic konsideron se nëse një ekip tjetër si Anglia, Brazili, Spanja, Gjermania apo Italia do të kishte pasur arritjet e Kroacisë, lojtarët e tyre do të ishin në listën e të nominuarve për çdo çmim: “Nëse do të kishin qenë lojtarët apo trajnerët anglezë, brazilianë, spanjollë, gjermanë apo italianë që do të kishin marrë këto rezultate, ata do të ishin në çdo listë për çdo çmim. Duam më shumë respekt për veten, ekipin tonë, lojtarët tanë… FIFA duhet të promovojë faktin që një vend i vogël si Kroacia mund të luajë kundër kombeve më të mëdha në botë. Do të ishte mesazhi më i bukur i mundshëm për të gjithë botën e futbollit”.

Me këtë shpalosje të gjatë të argumenteve, Zlatko Dalic e mbylli deklaratën e tij duke arsyetuar mospjesëmarrjen e tij në çmimet “The Best”.

“Duke marrë parasysh të gjitha këto, kam vendosur të mos marr pjesë në votimin e çmimeve të sivjetme. Megjithatë, dua t’i përgëzoj të gjithë fituesit për çmimet e tyre të merituara. Veçanërisht dua ta përgëzoj Lukën për vendin e katërt, megjithëse për mua ai është gjithmonë numri një”, përfundoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco