Bayern Munchen ka regjistruar sot humbjen e dytë në kampionat, teksa është mundur me shifrat 3-2 në transfertë përballë Borussia Monchengladbach.
Ish-skuadra e portierit të ri të bavarezëve, Jan Somer, ka përfituar maksimalisht nga gabimi i Upamekano, i cili u ndëshkua me karton të kuq që në minutën e 8-të të ndeshjes.
Vendasit shënuan shumë shpejt më anë të Shtindl golin e avantazhit, por pjesa e parë u mbyll me barazimin 1-1 falë golit të Çupo-Moting.
Megjithatë, Gladbah gjeti më shumë hapësira falë epërsisë numerike në fushë dhe ia doli të shënonte dy herë në fraksionin e dytë të lojës, fillimisht me Hofman, e më pas me anë të Markus Turam.
Kështu siguroi një fitore të rëndësishme pasi goli i Tel erdhi në minutën e 93-të, shumë vonë për të ndryshuar fatin e duelit.
Bayerni kështu zbret “me këmbë në tokë” pas triumfit në Champions me PSG-në, teksa rrezikon kreun.
Nga kjo situatë kanë përfituar edhe Freiburgu me Leipzigun, të cilat falë fitoreve në transfertë, kanë ngushtuar diferencën me kryesuesit dhe janë përfshirë në grupin e skuadrave që luftojnë për titullin kampion.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: