Laçi fiton në Mal të Zi, 'perla' e Mazrekajt i dërgon në turin tjetër të Conference League

Laçi fiton në Mal të Zi, 'perla' e Mazrekajt i dërgon në turin tjetër të Conference League

22:53, 14/07/2022

Goli i Mentor Mazrekaj i jep fitoren dhe kualifikimin Laçit ndaj malazezëve të Iskras. Pas barazimit 0-0 në “Elbasan Arena” javën e shkuar, bardhezinjtë e Shpëtim Duros arritën që të fitonin minimalisht në ndeshjen e luajtur në Podgoricë, duke siguruar kalimin në raundin e dytë të Conference League.

Ashtu si në ndeshjen e parë, Laçi ishte më këmbëngulës, dominoi dhe u shpërblye, duke vijuar paraqitjet pozitive në arenën ndërkombëtare. Minutat e para të ndeshjes ishin të ekuilibruara me kurbinasit më kërkues, por në anën tjetër dhe vendasit tentuan që të lënë shenjë, por pa e vënë në rrezik serioz portierin e Laçit.

Në të 19-ën u regjistrua episodi që bëri diferencën, me Mentor Mazrekajn që tregoi klasin e tij. Kapiteni ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi që nuk u devijua dot nga askush, duke shkuar në rrjetën e portës së Iskrës.

Laçi në avantazh dhe gjithçka u bë me e lehtë për skuadrën kurbinase. Në vijim bardhezinjtë humbën disa raste të pastra. Adeleke dhe Guindo ishin rrezik potencial në kundërsulme, megjithatë pa arritur që të gjenin rrugën e rrjetës.

Pjesë e dytë kishte të njëjtën fytyrë si e para, me Laçin që e menaxhoi mjaft mirë ndeshjen, duke marrë rezultatin që i mjaftoi për të marrë kualifikimin në raundin e dytë. Shumë raste të pa konkretizuara, por në fund festë bardhezi në Podgoricë.

Hera e pestë në gjashtë vitet e fundit që bardhezinjtë arrijnë që të kalojnë minimalisht një tur, duke dëshmuar se në Europë e kanë recetën e suksesit. Kundërshtarët e radhës për Laçin do të jenë moldavët e Petrocub, që eliminuan maltezët e Floriana.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco