Ngjitja e Verstapen, parakalon 2 emra të mëdhenj të Formula 1

Ngjitja e Verstapen, parakalon 2 emra të mëdhenj të Formula 1

17:47, 23/06/2022

Suksesi të dielën në Çmimin e Madh të Kanadasë nuk ishte si gjithë të tjetër për Maks Verstapenin.

Falë asaj fitoreje mjaft të bukur, ku i rezistoi deri në fund presionit të Karlos Sainz, piloti i Red Bullit e ka dërguar në 26 numrin e triumfeve në Formula 1.

Një shifër që e ngjit edhe më shumë kampionin në fuqi të botës në historinë e kategorisë më të lartë të automobilizmit.

Tashmë holandezi ka lënë pas për sa u përket fitoreve në F1 dy legjenda të këtij sporti si Niki Lauda dhe Xhim Klark, me të cilët Maks ndau për disa ditë barazimin me nga 25 fitore, pas atij triumfi në Baku.

E tashmë 24- vjeçari ka vendosur në shënjestër një tjetër emër të madh si Xheki Stjuart që regjistron 27 fitore.

Kështu, në garën e radhës në Silverstone, Verstapen përveçse udhëton në Britani për të konsoliduar edhe më shumë vendin e parë në renditje, kërkon edhe barazimin e një ikone si skocezi Stjuart, që numëron 3 tituj kampion në Formulën 1.

Më pas objektivi do të transferohet të Najxhëll Mansell, protagonist me 31 fitore në elitën e automobilizmit si dhe te Fernando Alonso, me spanjollin që koleksionon 32 suksese.

Nëse arrin të barazojë pilotin e skuadrës Alpine, gjë që është shumë e mundshme që në këtë sezon, atëherë Verstapen pritet ta arrijë Alonson edhe për sa i përket numrit të titujve botërorë (2).

Më pas holandezin e presin të tjerë superkampionë, duke filluar me Airton Senën, që është ndalur në kuotën e 41 sukseseve dhe me Alen Prostin, autor i 51 fitoreve.

Ndërsa podiumi i pilotëve më fitues të të gjitha kohërave vijon me Sebastian Fetelin, me 53 triumfe, legjendën Majkëll Shumaker me 91, dhe në majë qëndron Luis Hamilton, me britanikun e Mercedesit që regjistron shifrën e pabesueshme të 103 fitoreve në Formulën 1.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco