Në një ceremoni gala të mbajtur në Paris, Lionel Messi fitoi për herë të 7 në karrierë çmimin më prestigjioz individual në futboll, “Topin e Artë”, duke lënë pas emra si Lewandowski e Jorginho.
Çmimi prestigjioz për futbollistë, jepet nga revista e njohur franceze “France Football” dhe për herë të parë është akorduar pikërisht në 1956-ën e largët, teksa fituesi i parë është Stanley Matthews, futbollist anglez i Blackpool.
Megjithatë emra legjendarë si Pele dhe Diego Armando Maradona nuk e kanë shijuar kurrë këtë trofe.
Shkaku? “Topi i Artë” ishte një çmim që u jepej vetëm futbollistëve europiane, ndaj braziliani e argjentinasi nuk patën mundësi as të hyjnë në garë…
Një rregull i tillë vazhdoi deri në vitin 1995, vit ku më i miri u shpall George Weah.
Ish-sulmuesi liberian i Milanit u bë lojtari i pari jo europian që fitoi “Topin e Artë”.
Vitin e kaluar u vendos që ceremonia të mos bëhej dhe të mos shpallej asnjë fitues për shkak të pandemisë, teksa i fundit që ka triumfuar, ka qenë Leo Messi më 2019-ën, i cili atëherë e fitoi “Topin e Artë” për herë të gjashtë në karrierë, një rekord absolut, të cilin e thelloi edhe më shumë.
“Pleshti” i PSG-së ndiqet nga portugezi Cristiano Ronaldo me 5 “Topa të Artë”.
Nga tri herë e kanë fituar lojtarë si Mishel Platini, Johan Cruyff dhe Marco Van Basten.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: