Kategoria Superiore/ Notat për ndeshjet e javës, Kukësi kryeson me...

Kategoria Superiore/ Notat për ndeshjet e javës, Kukësi kryeson me...

08:43, 22/09/2021

Kategorisë Superiore ka bërë një paraqitje të mirë duke dhuruar një lojë të bukur. Skuadrat kanë dhënë maksimumin e tyre në duelet e realizuara gjatë kësaj jave.

Në vijim janë renditur skuadrat  me notat përkatëse sipas paraqitjes që ato kanë bërë.

KUKËSI 7 –Kukësi kryeson Superioren. Trajneri italian e ka transformuar ekipin në krahasim me sezonin e shkuar dhe më kryesorja është se ekipi prodhon lojë, shënon gola, si dhe gjen forca për të reaguar edhe kur ndëshkohet, siç ndodhi me Kastriotin.

TEUTA 7 – Kampionët në fuqi e kanë treguar forcën dhe karakterin e tyre edhe në javën e dytë, ku në Shkodër treguan se sa vlejnë. Teuta e Martinit edhe një herë i tregoi Vllaznisë se titulli i vjetshëm nuk ka qenë rastësi. Durrsakët kanë bërë ndryshime të shumta nga ekipi kampion, por egoja, karakteri dhe grinta mbeten në fuqi.

EGNATIA 6.5 – Rrogozhinasit e nisën sezonin me humbje në shtëpi, por të besuarit e trajnerit Magani treguan ndaj Tiranës se nuk kanë ardhur për shëtitje në Superiore. Egnatia arrin të barazojë golin e Tiranës dhe me pak kujdes edhe mund të fitonte, nëse do të vlerësohej aksioni në fund të ndeshjes.

SKËNDERBEU 6.5 – Ndeshja me Partizanin vërtetoi faktin se nëse korçarët nuk do të kishin mbetur me 10 vetë ndaj Tiranës, nuk do të dilnin pa pikë nga kryeqyteti. Skënderbeu i trajnerit Memelli mori pikën e parë në shtëpi, ku flakë për flakë iu kundërpërgjigj të kuqve.

LAÇI 6.5 – Kurbinasit pikën e parë sezonale e morën ndaj Dinamos në transfertë. Pas humbjes turpëruese në shtëpi me Vllazninë dhe disavantazhit me Dinamon, Laçi arrin të reagojë dhe të barazojë ndaj bluve. Pa dyshim meritë në këtë barazim patën zëvendësimet e kryera.

DINAMO 5 – “Nëndetësja” ka marrë goditjen e parë në kampionat, ku ndonëse kaloi e para në avantazh, në fund fitorja i iku nga duart. Dinamo në këtë sfidë tregoi se akoma nuk është ekip i konsoliduar, ku si një javën e parë, edhe ndaj Laçit, pas minutës së 60-të ka një rënie të nivelit të lojës dhe kondicionit fizik dhe tërhiqen pas.

PARTIZANI 5 – Skuadra e trajnerit Ilir Daja mori pikën e parë në Korçë, por “demat” vijojnë ta pësojnë radhazi nga gabimet në fazën mbrojtëse. Në 180 minutat e para të kuqtë kanë qenë konfuzë në lojë, ku ndonëse krijojnë volum, nuk arrijnë t’i imponohen kundërshtarit dhe të jenë rezultativë në 20 metrat e fundit të përmbylljes së aksioneve.

TIRANA 5 – Fitorja me Skënderbeun rezultoi thjesht imazh optik, pasi bardheblutë nuk arritën në javën e dytë që të sfidonin debutuesit e Egnatias. Problemet e Tiranës duken më shumë në pjesën prapa, ku mbrojtja dhe deri diku mesfusha nuk japin shumë siguri.

VLLAZNIA 5 – Shkodranët që në javën e dytë dhanë sinjalin se kur kalojnë në “ekstazë”, përgjumen në ndeshjen pasardhëse. Gabime të cilat i kushtuan edhe vjet titullin. Ndaj Teutës, Vllaznia e trajnerit Brdariç bëri “harakiri”, duke mos përfituar nga rrethanat e rivalit.

KASTRIOTI 4 – Krutanët e trajnerit Ramazan Ndreu janë të vetmit që nuk kanë marrë ende pikën e parë. Edhe pse kaloi i pari në avantazh, Kastrioti mbetet një ekip i brishtë, pasi faza përgatitore ka qenë e pakët, si dhe cilësia është ulur nga sezoni i shkuar. Një sezon i vështirë e pret Kastriotin…

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco