Rrëfimi i Bogdanit: Kumbullën e zbulova unë, emocionuese fitorja ndaj Milanit të Ibrës

Rrëfimi i Bogdanit: Kumbullën e zbulova unë, emocionuese fitorja ndaj Milanit të Ibrës

10:57, 24/10/2020

Erjon Bogdani sot është 43 vjeç dhe prej disa vitesh i ka dhënë fund futbollit të luajtur. Por, ai ka ende ëndrra të mëdha në lidhje me futbollin, tani madje ato kanë lidhje me Italinë. Është nga ata djemtë që pas një “fluturimi” mbresëlënës në karrierë rikthehet sërish në folenë e tij. Kroacia ishte trampolina e djaloshit nga Tirana dhe më pas përfundoi te Rexhina në Rexho Kalabria, aty ku gjeti Pirlon si shok skuadre.

Aty nisi fluturimi në lartësi i Erjonit dhe më pas te Salernitana e Stefano Piolit trajner… Udhëtimi vazhdoi te Verona, Siena, Livorno dhe Çezena me Xhakerinin. Ish-sulmuesi në karrierën e tij ka mundur Ibrahimoviçin dhe ka sfiduar Ronaldon. Nuk është nga ata dosido, sepse ka përfunduar studimet në Fakultetin e Ekonomisë. Por, lënda e tij e preferuar nuk është as historia dhe as matematika, është futbolli…

Image

Erjon, ju keni nisur të bëni rolin e trajnerit. Si po shkon kjo aventurë e re?

Punova për një vit e gjysmë me De Biazin te Kombëtarja shqiptare dhe ishte një udhëtim i bukur që përfundoi me kualifikimin në “Euro 2016”. Hera e parë që Shqipëria kualifikohej në një kompeticion kaq të rëndësishëm. Më pas mora drejtimin e Kombëtares U-19 dhe aty u dhashë mundësinë shumë të rinjve, mes tyre Kumbulla. Kjo aventurë u mbyll në tetor të vitit 2019 dhe tani jam pushim. “COVID”-i na i ka bërë disi gjërat të vështira, por unë udhëtoj shpesh dhe marr pjesë nëpër trajnime të ndryshme për t’u informuar sa më shumë.

Image

Cila është ideja juaj për futbollin dhe a ka lidhje ajo me stilin italian?

Futbolli po ndryshon shumë. Modulet janë numra, sepse varet shumë nga futbollistët që ke në dispozicion. Duhet t’i vendosësh në fushë në mënyrën më të mirë të mundshme. Më pëlqen futbolli italian, edhe pse tani shumë gjëra po ndryshojnë edhe këtu. E kemi parë këtë ndryshim edhe këtë sezon, sepse shumë skuadra të Serisë A tanimë luajnë në sulm, por nuk mendoj se kjo gjë do të zgjasë. Në fund, objektivat i arrin ai që pëson më pak gola.

Image

Ç’mendim keni për Pirlon trajner?

E njoh Andrean sepse kemi luajtur bashkë te Rexhina. Ai është një djalë shumë i zgjuar, por është e vështirë të jesh trajner i Juventusit. Po bën rolin e trajnerit për herë të parë në stolin e kampionëve të Italisë… Më vështirë se kaq nuk bëhet. Kanë zhvilluar pak ndeshje deri tani dhe nuk mund të gjykohet, sepse as lojtarët nuk i ka pasur të gjithë në dispozicion. Më pëlqen që po promovon disa të rinj si Fabrota dhe Portanova. Pirlo nuk ka frikë nga asgjë, por ka një detyrë shumë të vështirë. Shpresoj që të bëjë gjëra të mëdha.

Image

Ju e keni mundur Ibrahimoviçin kur luanit me Çezenën në 2010-ën. A ishte emocionuese?

Po, ishte ndeshja e parë e Ibrës që e luante me fanellën e Milanit pasi ishte rikthyer në Itali. Në atë ndeshje shënuam unë dhe Xhakerini, por patëm edhe fat, sepse Milani krijoi shumë raste. Ibra humbi edhe një penallti. Në ndeshjen e kthimit ai u “hakmor” sepse shënoi dy gola dhe na mundën. Pas Çezena-Milan 2-0 fola me Sedorfin dhe Pirlon. Mbaj mend që edhe Galiani nuk ishte në humor. Me Pirlon shkëmbenim gjithnjë fanellën dhe pas ndeshjes i thashë që të mos mërzitej, sepse kishin një skuadër të madhe dhe do të fitonin titullin. Atë vit i drejtonte Alegri dhe kishin shumë kampionë në ekip që bënin diferencën. Në fund u shpallën kampionë.

Image

Gjatë karrierës suaj ju keni sfiduar edhe Kristiano Ronaldon. Çfarë mbani mend?

Herën e parë që jam ndeshur me të, ka qenë ndeshja mes kombëtareve, e luajtur në Portugali. Në pjesën e parë Ronaldo bëri disa nga numrat e tij dhe detyroi një mbrojtësin tonë të merrte të verdhë shpejt. Pas 6 minutash e detyroi atë të merrte edhe të verdhin e dytë dhe ne mbetëm me 10 lojtarë që në pjesën e parë. Ishte një mbrëmje e çmendur sepse në fund ne barazuam 0-0. Portugalia krijoi shumë raste, goditi disa herë shtyllën, por nuk na shënoi dot.

Pastaj më kujtohet një ndeshje tjetër mes kombëtareve në Tiranë dhe u përballëm sërish aty. Madje, i kam shënuar edhe gol Portugalisë në atë ndeshje, por na mundën në fund me rezultatin 2-1 me një gol të shënuar nga Bruno Alvesh në minutën e 93-të. Ai është i jashtëzakonshëm dhe për këtë flasin numrat.

Për mendimin tim, Ronaldo dhe Mesi janë unikë, ata janë krejt ndryshe dhe më pas është pjesa tjetër që thjesht frymëzohen prej tyre. Të vetmit që mund të ndryshojnë fatin e një ndeshjeje në çdo moment. Shpresoj që të luajnë sa më gjatë, sepse për të parë dy të tjerë si ata do të duhet të kalojnë shumë vite...

Image

Meqë përmendët Romën, ju e njihni mirë Kumbullën. Deri ku mund të mbërrijë ai djalosh?

Kur isha trajner i Kombëtares U-19, shkova në Veronë të flisja me Kumbullën që luante me të rinjtë e Veronës. Ai, për fat të keq, nuk luajti në atë ndeshje sepse ishte i dëmtuar, por fola me drejtorin sportiv të tyre dhe trajnerin. Me mua ka luajtur disa ndeshje te Kombëtarja U-19, edhe pse ishte nën moshë. Ai ka pasur një rritje të pabesueshme gjatë viteve të fundit dhe të mendosh që nuk ka luajtur asnjëherë në Serinë B. Sezonin e kaluar shkëlqeu me Veronën dhe tani po ia del mjaft mirë te Roma. Ta kesh atë në fushë të jep besim dhe duket më i madh për moshën që ka. (Panorama Sport)

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco