Sindikata u kundërvihet presidentëve të klubeve për gjobat ndaj futbollistëve. Deklarata

Sindikata u kundërvihet presidentëve të klubeve për gjobat ndaj futbollistëve. Deklarata

15:10, 24/06/2020

Sindikata e Futbollistëve bëri me dije se ka marrë ankesa nga disa prej lojtarëve, të cilët janë gjobitur nga presidentët e klubeve ku aktivizohen pasi kanë bërë greva dhe bojkote për çështjen e mosmarrjes së pagave.

Në një deklaratë zyrtare, SFPSH-ja u bën thirrje presidentëve të klubeve të futbollit shqiptar “se e drejta për të bërë grevë është e sanksionuar në nenin 51 të Kushtetutës”.

Sindikata ashpërsoi tonet ndaj presidentëve në fjalë duke e konsideruar të pamoralshme kërkimin e arritjes së objektivave të sezonit dhe në të njëjtën kohë nuk paguan futbollistët.

Sindikata e Futbollistëve i ka kërkuar FSHF-së të ndjekë me vëmendje këtë situatë si dhe klubeve të gjejnë gjuhën e përbashkët me futbollistët për t’i paguar për muajt që nuk kanë luajtur për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Deklarata e plotë

“Këto ditë në Sindikatën e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë janë paraqitur disa futbollistë të cilët janë gjobitur nga klubet e tyre.

Shkak për këto gjoba janë bërë grevat e futbollistëve, duke bojkotuar stërvitje ose ndeshje, për shkak të rrogave të pa marra.

Në nenin 14/1 të Statusit të Sportistit 2019 është e përcaktuar në mënyrë të qartë se: Mosdhënia e pagesës është shkak i ligjshëm për ndërprerjen e kontratës.

Futbollistët megjithëse nuk janë paguar për shumë muaj, duke patur një shkak të ligjshëm për ndërprerjen e kontratës, përsëri kanë vazhduar të kontribuojnë për ekipet e tyre.

Por edhe durimi për futbollistët e ka një kufi, pasi pjesa më e madhe janë familjarë dhe me rrogat ata mbajnë familjet.

Për këtë arsye futbollistët e disa ekipeve kanë bërë grevë, duke bojkotuar ndeshjet ose stërvitjet.

Ky ka qenë shkaku që ndaj këtyre futbollistëve janë marrë masa penalizuese nga klubet.

Të nderuar presidentë, ju që kontribuoni financiarisht që futbolli të mbijetojë, mos bini pre e inatit ose e konsulencës së keqe dhe dëmtoni investimin tuaj .

Të nderuar presidentë.

Duhet ta dini se greva është një e drejtë kushtetuese e parashikuar shprehimisht në nenin 51 të Kushtetutës tonë.

Çdo penalizim që ju i bëni futbollistëve për shkak të grevës së tyre, është antikushtetues, dhe si i tillë të jeni të sigurtë se do të hidhen poshtë nga instancat kompetente gjyqësore.

Çdo vendim që vjen në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe ligjit do të denoncohet nga ana jonë, jo vetëm në media apo organet e Vetingut por edhe në organizmat ndërkombëtare.

Futbollistët Shqiptarë nuk janë skllevër që të vazhdojnë të punojnë pa u paguar sepse punëdhënesit e tyre, nuk DUAN ti japin pagat.

A kanë moral këta presidentë që ti kërkojnë futbollistëve arritjen e objektivave kur ata nuk i paguajnë ata prej disa muajsh në përputhje me kontratat që ata vetë kanë nënshkruar ?

Sindikata i bën thirrje edhe FSHF që ta ndjekë me vëmendje këtë çështje duke sqaruar gjithashtu edhe klubet për faktin se:

Rrogat e dhëna nga ana e saj as nuk e pezullojnë dhe as nuk ndërpresin marrëdhënien e detyrimit kontraktual që kanë klubet me futbollistët.

Sipas orientimeve te FIFA-s dhe UEFA-s, klubet duhet të negociojnë me futbollistët për pagesat e muajve që futbolli ndaloi dhe jo të vendosin në mënyrë arbitrare mosdhënien e pagesave me pretendimin se kanë marrë rrogë nga FSHF.

Gjithashtu nje problem tjetër të cilin FSHF duhet ta sqarojë me qëllim që futbollistët të jenë të qartë për afatin e përfundimit të kontratës por dhe që klube të ndryshme të mos ngrenë pretendime që prishin garën: Është çeshtja e përfundimit të kontratave të futbollistëve.

Kontratat përfundojnë në kohën e përcaktuar në to apo në përfundim të edicionit.

Ky shqetësim ngrihet nga ana jonë pasi disa presidentë publikisht kanë deklaruar se futbollistëve ju kanë mbaruar kontratat më datë 31.05.2020.

Sindikata kërkon nga sektori i garave të FSHF që të marrë nga çdo klub, marrëveshjet që klubi ka bërë me çdo futbollist për zgjatjen e kontratës deri në përfundim të edicionit, sipas orientimeve të UEFA të bërë publike edhe nga FSHF.

Sigurisht që për ne, është në radhë të parë interesi sindikatal, por që ky problem përbën edhe një interes të ligjshëm për FSHF për të ruajtur integritetin e garës.

Duke mos e sqaruar këtë situatë, nesër çdo klub që pas datës 31.05.2020 ka humbur një ndeshje në fushë mund t’i kërkojë FSHF fitoren e ndeshjes në tavolinë me pretendimin se skuadra kundërshtare ka luajtur me lojtarë të cilëve sipas deklarimeve të vetë klubit ju ka mbaruar kontrata.

Sigurisht që rezultat e vendosura në tavolinë dhe jo në fushë nuk janë në të mire të futbollit dhe as të futbollistëve.

Në këtë pikë edhe Sindikata e Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë do të japë kontributin e saj që edhe futbolli Shqiptar të jetë i ndershëm dhe i pastër”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco