Kombëtarja e femrave U-16 shkëlqen në turneun e UEFA-s, 3 ndeshje, 3 fitore

Kombëtarja e femrave U-16 shkëlqen në turneun e UEFA-s, 3 ndeshje, 3 fitore

20:17, 16/02/2020

Kombëtarja shqiptare e vajzave U-16 ka treguar një performancë të shkëlqyer në UEFA Development Tournament, ku ka fituar edhe në ndeshjen e tretë ndaj ekipit të Malit të Zi me rezultatin 5-2.

Vajzat e drejtuara nga tekniku me përvojë Agustin Kola, kanë triumfuar në të tre ndeshjet, 3-1 ndaj Lituanisë, 3-1 ndaj Gjeorgjisë dhe ditën e sotme 5-2 ndaj Malit të Zi.

“Ky është një grup shumë i talentuar. Jemi shumë të lumtur që përzgjedhja jonë dhe puna me këto vajza solli këtë sukses. Na duhet mbështetja e familjeve dhe e vajzave tona për tu afruar me futbollin. I presim në ndeshje dhe në stadiume. Puna jonë me këtë ekip do vijojë”, tha tekniku Kola.

“Për ne është nder të luanim nën ngjyrat e Shqipërisë në ‘Air Albania Stadium’ përballë mijëra sportdashësve tanë. Jemi shumë të emocionuara. Ne do vijojmë të japim maksimumin për ngjyrat tona kuqezi”, tha kapitenia Iliadhi.

“Jemi të lumtur që mirëpritëm këtë turne të UEFA-s. Nuk është as i pari dhe nuk do jetë i fundit. Po punojmë ngushtësisht me qeverinë europiane të futbollit që të sjellim në Shqipëri turne të tjerë. Mirëpresim në fund të këtij muaji turneun e kombëtareve U-16 të djemve të Shqipërisë, Algjerisë, Gjeorgjisë dhe Lituanisë”, u shpreh në mbyllje të këtij turneu Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit, Ilir Shulku.

Federata e Futbollit i ka dhënë një rëndësi të veçantë këtij turneu duke e organizuar në dy stadiumet kombëtare, “Air Albania” dhe “Elbasan Arena”, ndërsa të katër ekipet ishin grumbulluar në zonën e Durrësit.

FSHF e ka shpallur futbollin e fëmijëve dhe femrave si prioritetin qendror të gjithë aktiviteteve për vitin 2020.

Prezenca e mijëra tifozëve në “Air Albania Stadium”, tregon interesin e lartë të publikut tonë për futbollin e femrave.

Një risi e ndeshjeve të këtij turneu ndërkombëtar është se ato u gjykuan nga arbitre femra.

Rezultatet e të gjitha ndeshjeve:

11 Shkurt 2020:

Shqipëri – Lituani 3-1 (Air Albania Stadium)

Gjeorgji-Mali i Zi 0-2 (Elbasan Arena)

13 Shkurt 2020:

Shqipëri – Gjeorgji 3-1 (AirAlbania Stadium)

Mali i Zi- Lituani 1-2 (Elbasan Arena)

16 Shkurt 2020

Shqipëri – Mali i Zi 5-2 (AirAlbania Stadium)

Lituani-Gjeorgji 2-2 (5-4 me penallti) (Elbasan Arena)

Renditja

Shqipëria 9

Lituania 5

Mali i Zi 3

Gjeorgjia 1

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco