PSG pezullon lojtarin vetëm për një ‘Like’ në rrjetet sociale

PSG pezullon lojtarin vetëm për një ‘Like’ në rrjetet sociale

21:41, 15/03/2019

Vazhdon përplasja mes PSG-së dhe mesfushorit të talentuar francez, Adrien Rabiot, dhe këtë radhë problem bëhet një “Like” në rrjetet sociale.

Klubi ka vendosur që të pezullojë futbollistin deri më 27 mars, pasi ky i fundit ka shkelur dy herë radhazi rregulloren e klubit.

Shkelja e parë ishte filmimi i tij në një klub nate pak orë pasi skuadra ishte eliminuar nga Liga e Kampioneve përballë Mançester Junajtid, një situatë të cilën parisienët e kanë cilësuar të papranueshme për një profesionist.

Pak më vonë, ai pëlqeu në rrjetet sociale një video të Patris Evra duke festuar triumfin e Mançester Junajtid ndaj PSG përkrah Pol Pogba dhe kjo dukshëm ka acaruar më shumë klubin e tij.

Marrëdhënia mes klubit dhe lojtarit 23-vjeçar është përkeqësuar që nga momenti kur ky i fundit vendosi të mos rinovonte kontratën me parisienët dhe ai është lënë shpesh në tribunë pasi ka bërë të qartë se do të largohet në verë.

Ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje me PSG-në që në dhjetor, kur zbriti në fushë në Ligën e Kampioneve përballë Crvena Zvezdës. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco