Rënia drastike e yjeve të mëdha të futbollit

Rënia drastike e yjeve të mëdha të futbollit

12:38, 13/01/2019

Isco dhe Philippe Coutinho nuk janë yjet e vetëm në botën e futbollit të cilët janë duke kaluar në një periudhë të keqe për momentin, pasi që në listë me ta hyjnë edhe shumë futbollistë të tjerë të famshëm.

Në disa raste kjo gjë ka ndodhur për shkak të marrëdhënieve të këqija me trajnerët e tyre, e në disa raste të tjera për shkak të lëndimeve. Cilado qoftë arsyeja, këta janë disa nga lojtarët të cilët nuk kanë arritur ta dëshmojnë veten gjatë kohës së fundit.

Mesut Ozil: I humbur nën Unai Emeryn

Mesfushori gjerman me origjinë turke është kthyer në stërvitje dhe tani kërkon të kthehet edhe në formacionin e parë të Arsenalit. Megjithatë, këtë gjë nuk e ka pasur të lehtë ta arrijë këtë sezon me trajnerin e ri, Unai Emeryn. Ozili i ka bërë vetëm 13 paraqitje, gjatë të cilave i ka shënuar tri gola.

Alexis Sanchez: Vetëm hije e lojtarit që ishte më herët

Kiliani e kishte pasur të vështirë ta dëshmonte veten gjatë kohës sa trajner i Manchester Unitedit ishte Jose Mourinho. Kur portugezi u largua më 18 dhjetor, Sanchezi kishte luajtur për herë të fundit në nëntor. Statistikat e tij nuk janë aspak mbresëlënëse këtë sezon, me vetëm një gol në 11 paraqitje.

Diego Costa: Jashtë deri në mars

Diego Simeone do të mbetet pa qendërsulmuesin e tij deri në mars për shkak të lëndimeve. Ndeshja e fundit e Costas, kur Gironas më 2 dhjetor, kishte ardhur vetëm disa ditë pasi ai ishte kthyer nga një lëndim tjetër. Kjo situatë ka bërë që Atletico Madridi të kërkojë përforcime gjatë afatit kalimtar të janarit.

James Rodriguez: Mungesa e vazhdimësisë në Bayern Munich

Ylli kolumbian nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmëritë që ishin krijuar për të kur ishte transferuar te gjiganti gjerman para tetë muajve, kur shkoi në Bayern si huazim nga Real Madridi. Ai i ka bërë vetëm tetë paraqitje këtë sezon për skuadrën e Niko Kovacit.

Adrien Rabiot: Rebelimi për kontratë

Karriera e mesfushorit francez në Paris Saint-Germain nuk duket më aq e ndritshme për shkak të refuzimit të tij për ta rinovuar kontratën me klubin francez. Trajneri Thomas Tuchel e ka lënë atë jashtë skuadrës qysh nga dhjetori, pasi që ai pritet të largohet nga klubi së shpejti.

Michy Batshuayi: Dështimi në Valencia

Paraqitjet e sulmuesit belg në Mestalla nuk kanë qenë aspak mbresëlënëse që nga huazimi i tij në Valencia nga Chelsea. Paraqitjet ishin aq të dobëta sa që Marcelino është duke planifikuar ta kthejë atë në Londër para se të përfundojë afati i huazimit.

Franck Ribery: Pritet të largohet nga Bayerni

Një nga lojtarët më të mirë të dekadës për Bayernin, Ribery është duke u përgatitur t’i thotë lamtumirë klubit gjerman në fund të sezonit. Përkundër që i ka bërë 14 paraqitje këtë sezon, katër si titullar, largimi i tij është konfirmuar edhe nga presidenti i klubit, Uli Hoeness.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco