Qershi plot, por fitim pak/ Sezoni i vështirë i fermerëve të Dvoranit, pa treg, pa mbështetje

10:54, 02/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sezoni i vjeljes së qershisë pritet të nisë në Dvoran të Korçës, një prej zonave me traditë në kultivimin e këtij fruti. Edhe pse këtë vit prodhimi paraqitet i kënaqshëm, fermerët thonë se po përballen me sfida të shumta që rrezikojnë mbarëvajtjen e sezonit. Mungesa e fuqisë punëtore mbetet një nga problemet kryesore për kultivuesit e zonës. Emigrimi dhe largimi i të rinjve kanë reduktuar ndjeshëm numrin e punëtorëve sezonalë, duke vështirësuar procesin e vjeljes së prodhimit.

Një tjetër shqetësim për fermerët janë çmimet e ulëta të shitjes. Sipas tyre, të ardhurat që sigurohen nga tregtimi i qershisë nuk arrijnë të përballojnë kostot në rritje të prodhimit, që përfshijnë plehrat, trajtimet bujqësore dhe shpenzimet për punëtorët.

Pavarësisht prodhimit të mirë, fermerët shprehen se tregu mbetet problem. Mungesa e sigurisë për shitjen e produktit dhe e tregjeve të garantuara krijon pasiguri për të ardhmen e aktivitetit bujqësor në zonë.

Si një alternativë për të përballuar mungesën e krahut të punës, propozohet përdorimi i makinerive moderne për vjeljen e qershive. Sipas banorëve të zonës, investimi në teknologji do të ndihmonte në uljen e kostove dhe në shmangien e humbjeve të prodhimit.

Fermerët kërkojnë më shumë mbështetje për sektorin, si në drejtim të mekanizimit të proceseve bujqësore, ashtu edhe në garantimin e tregut për produktet vendase, në mënyrë që puna dhe investimi i tyre të mos shkojë dëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco