Fermerët e fshatit Orman të njësisë administrative Pojan në qarkun e Korçës po përballen me humbje të mëdha ekonomike pas dëmtimit masiv të kulturës së patates. Ata akuzojnë cilësinë e farës si shkakun kryesor të situatës dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore.
Krenar Kreka, fermer prej më shumë se 25 vitesh, thotë se është hera e parë që përballet me një situatë të tillë. Sipas tij, fara e patates e llojit “Karlit”, me të cilën ka punuar prej vitesh, këtë sezon ka rezultuar jo cilësore, duke bërë që pjesa më e madhe e prodhimit të mos mbijë ose të dalë jashtë standardeve. Ai pretendon se analizat e kryera nga institucionet nuk kanë zbuluar problemin real, ndërsa shton se kontrollet nuk janë kryer siç duhet që në hyrje të farës në doganë. Kreka thotë se dëmi ekonomik për familjen e tij arrin mbi 30 milionë lekë dhe se do ta ndjekë çështjen edhe në rrugë ligjore.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe fermeri Daniel Plasa nga Pojani, i cili shprehet se investimi i bërë në tokë rrezikon të humbasë për shkak të farës së dëmtuar. Ai thotë se prej më shumë se 25 vitesh merret me bujqësi dhe se një rast i tillë nuk kishte ndodhur më parë. Sipas tij, fermerët kanë nevojë për mbështetje nga shteti, pasi nuk kanë mundësi të përballen vetë me dëmet.
Edhe Jorida Kreka flet për vështirësitë ekonomike dhe sakrificat që familja e saj ka bërë për kultivimin e patates. Ajo tregon se janë kryer të gjitha proceset e punimit të tokës dhe janë përballuar kosto të larta për mbjelljen dhe mirëmbajtjen e kulturës, por në fund prodhimi ka rezultuar i dëmtuar.
Fermerët kërkojnë analizë të plotë të farës, verifikim nga specialistë në terren dhe dëmshpërblim për humbjet e shkaktuara. Ata thonë se bujqësia është i vetmi burim jetese për familjet e tyre dhe paralajmërojnë se mungesa e mbështetjes rrezikon t’i çojë drejt falimentimit dhe largimit nga vendi.
© SYRI.net