SYRI TV
Fshati Çorush në Mallakastër është një prej zonave të shumta në vendin tonë që e ndjen së tepërmi fenomenin e shpopullimit. Dikur, kjo zonë gumëzhinte nga zhurmat dhe prania e madhe e njerëzve, ndërsa sot, duhet të jesh me fat, të gjesh aty ndonjë pensionist. Këtë fakt e konfirmojnë edhe çifti i të moshuarve, Bajram dhe Hasime Mahmutaj, të cilët edhe pse të vetëm dhe në moshë të thyer, vazhdojnë të mbledhin bimë medicinale, jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të ruajtur traditën e kësaj zone
Në një shtëpi të thjeshtë në fshatin Çorush të Mallakastrës, larg zhurmës së qytetit dhe mes kodrave të mbushura me ullinj e bimë të egra, jetojnë Bajram dhe Hasime Mahmutaj, një çift pensionistësh që prej më shumë se 30 vitesh vazhdojnë të mbledhin bimë medicinale për të siguruar mbijetesën.
Me thasë në krah dhe hapa të ngadaltë nga pesha e viteve, dy të moshuarit marrin rrugët e maleve për të mbledhur bimë medicinale, që dikur u siguronin të ardhura të mjaftueshme për familjen, ndërsa sot gjithçka ka ndryshuar
Pranë tij qëndron Hasimeja, bashkëudhëtarja e jetës dhe e sakrificave. Ajo kujton me mall kohën kur i gjithë fshati gumëzhinte nga njerëzit që merreshin me bimët medicinale.
Pesë fëmijët e çiftit jetojnë në emigracion, si shumë të rinj të kësaj zone që janë larguar në kërkim të një jete më të mirë. Ndërsa fshati zbrazet çdo vit, Bajrami dhe Hasimeja vazhdojnë të jetojnë mes kujtimeve, punës dhe shpresës, se tradita e bimëve medicinale nuk do të zhduket plotësisht.
Historia e tyre është historia e shumë familjeve të Çorushit dhe të Shqipërisë, që sot po përballet me varfërinë, plakjen dhe emigracionin.
© SYRI.net