Dikur i njohur si “Toskana” e Rroskovecit për shkak të sipërfaqeve të mëdha me vreshta, fshati Kurjan sot po përballet me zhdukjen e një prej traditave më të vjetra bujqësore të zonës. Nga rreth 100 hektarë të mbjella me hardhi ndër vite, aktualisht kanë mbetur vetëm 5 hektarë, ndërsa fermerët po e zëvendësojnë vreshtarinë me kulturën e ullirit.
Fermerët e zonës fajësojnë mungesën e mbështetjes nga shteti, çmimet e ulëta të shitjes, mungesën e tregut dhe kostot e larta të prodhimit për braktisjen masive të vreshtave.
Fermeri Eshref Toro, i cili merret me kultivimin e hardhive prej 32 vitesh, thotë se situata është bërë e papërballueshme. Sipas tij, sasitë e mëdha të rakisë dhe verës stok, subvencionet e pamjaftueshme dhe mungesa e tregut kanë detyruar shumicën e fermerëve të heqin dorë nga kjo traditë.
Ai shprehet se sot në Kurjan kanë mbetur vetëm pesë vreshtarë, ndërsa pjesa më e madhe e tokave po mbillen me ullinj ose po lihen djerrë.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe fermeri Qamil Kuka, i cili tregon se u detyrua të shkulë të gjitha vreshtat dhe të mbjellë ullinj. Sipas tij, kostot për mirëmbajtjen e hardhive dhe mungesa e fitimit e bënë të pamundur vijimin e aktivitetit.
Edhe fermeri Astrit Abedini pohon se tradita e vreshtarisë po shuhet dita-ditës. Ai tregon se dikur kishte sipërfaqe të konsiderueshme me vreshta, ndërsa sot ka mbetur vetëm me një dynym.
Banorët kujtojnë se gjatë viteve të mëparshme, rreth 80% e territorit të Kurjanit ishte i mbuluar me vreshta dhe prodhimi arrinte deri në 200 tonë në vit. Sot kjo traditë shekullore po shkon drejt zhdukjes për shkak të mungesës së politikave mbështetëse dhe vëmendjes ndaj fermerëve.
Fermerët paralajmërojnë se nëse situata vijon kështu, shumë prej tyre do të shkojnë drejt falimentimit dhe vreshtaria në Kurjan do të mbetet vetëm një kujtim.
© SYRI.net