Universi mund të përmbajë mendje më të çuditshme nga ç'mund ta imagjinojmë

Universi mund të përmbajë mendje më të çuditshme nga ç'mund ta imagjinojmë

14:01, 02/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Imagjinoni personazhin e Samantës, të luajtur nga Scarlett Johansson në filmin Her, ose për Rokin, alienin e dashur në Project Hail Mary. Asnjëri prej tyre nuk ishte prej mishi, gjaku e indesh, por nga kode dhe algoritme (Samanta), ose nga metale të oksiduara dhe një tru i kristalizuar (Roki).

Sipas profesorëve të Universitetit të Kalifornisë në Riverside, mund të ketë ardhur koha të zgjerojmë mënyrën se si e përfytyrojmë vetëdijen dhe të heqim dorë nga supozimi se ajo duhet të jetë domosdoshmërisht e ngjashme me atë që shohim në Tokë. Kjo argumentohet në një punim të ri shkencor në fazë pune. (Shënim: ky është një punim paraprak, që do të thotë se ende nuk është botuar dhe nuk ka kaluar procesin e vlerësimit nga kolegët shkencëtarë.)

Parimi Kopernikan i Vetëdijes

Argumenti i paraqitur në këtë punim bazohet te koncepti i "fleksibilitetit të substratit". Ai mbështetet në materializëm (pra, idenë se e gjithë vetëdija buron nga materia), por ngre mundësinë që vetëdija të ekzistojë në lloje të ndryshme materialesh, ashtu si një filxhan mund të jetë prej qelqi, qeramike ose letre, ndërsa një regjistrim muzikor mund të ruhet në vinil, CD ose kasetë. Në të njëjtën mënyrë, vetëdija mund të mos ketë domosdoshmërisht nevojë për materiale biologjike si mishi dhe gjaku, por teorikisht mund të shfaqet edhe në materiale të tjera.

Në këtë punim, Eric Schwitzgebel dhe Jeremy Pober, studiues pasdoktorature në Universitetin e Lisbonës dhe ish-student i diplomuar në Universitetin e Kalifornisë në Riverside, paraqesin një koncept që e quajnë "Parimi Kopernikan i Vetëdijes". Ai bazohet në idenë se kuptimi ynë për kozmosin nuk është më aq i përqendruar te Toka sa dikur. Autorët argumentojnë se të besosh se çdo vetëdije në univers duhet të ekzistojë vetëm në formën që shohim në Tokë nuk ndryshon shumë nga besimi i dikurshëm se Sistemi Diellor, madje edhe i gjithë universi, rrotullohej rreth planetit tonë.

Schwitzgebel dhe Pober citojnë një anketë sipas së cilës vlerësimi mesatar i shkencëtarëve është se në çdo galaktikë ekziston të paktën një qytetërim gjatë gjithë jetës së saj. Kjo mund të shpjegojë pse ende nuk kemi gjetur prova për qytetërime jashtëtokësore (i ashtuquajturi "Paradoksi i Fermit"), por nuk do të thotë se ato janë jashtëzakonisht të rralla në shkallë kozmike. Sipas NASA-s, vetëm universi i vëzhgueshëm përmban të paktën 100 miliardë galaktika, ndoshta edhe më shumë. Duke u nisur nga kjo, autorët marrin një vlerësim shumë konservator prej vetëm 1000 qytetërimesh. Pyetja që shtrohet më pas është: a janë të vetëdijshme qeniet që përbëjnë këto qytetërime?

"Nëse Parimi Kopernikan i Vetëdijes është i saktë, atëherë nuk jemi ne veçanërisht me fat që zotërojmë një biologji tokësore që krijon vetëdije, ndërsa entitete të tjera me sjellje të ndërlikuar kanë struktura që i lënë plotësisht pa vetëdije," shkruajnë autorët në punimin e tyre. "Po ashtu, nuk kemi më shumë ose vetëdije më të mirë se të tjerët."

Kjo nuk do të thotë se çdo entitet me sjellje të ndërlikuar është domosdoshmërisht i vetëdijshëm, por se është e arsyeshme të mendohet se të paktën disa prej tyre janë. Në të njëjtën mënyrë, edhe nëse vetëdija e ngjashme me atë të njeriut kërkon një substratsi ai biologjik që kemi ne, kjo nuk do të thotë se nuk mund të ekzistojnë forma të tjera vetëdijeje mbi substrate të ndryshme.

Ç'do të thotë kjo për inteligjencën artificiale?

Ku hyn inteligjenca artificiale në këtë teori? Autorët kanë qëndrime të ndryshme.

Schwitzgebel beson se, nëse pranojmë se vetëdija mund të ekzistojë në substrate të ndryshme, atëherë nuk ka kuptim të thuhet se ajo nuk mund të ekzistojë edhe në silikon, për sa kohë që inteligjenca artificiale shfaq një sjellje mjaft të ndërlikuar. Pober është më i kujdesshëm. Ai thekson se fakti që vetëdija mund të ekzistojë në substrate të ndryshme nuk do të thotë se mund të ekzistojë në çdo substrat. Derisa të kemi arsye të forta për të besuar të kundërtën, duhet të supozojmë se inteligjenca artificiale nuk është e vetëdijshme.

Autorët citojnë gjithashtu vlerësime sipas të cilave universi i vëzhgueshëm do të përmbajë, gjatë gjithë ekzistencës së tij, rreth një kuintilion planetë të aftë të zhvillojnë një nivel vetëdijeje të krahasueshëm me atë të Tokës.

"Universi mund të përmbajë mendje më të çuditshme sesa mund ta imagjinojmë," tha Eric Schwitzgebel, profesor i shquar i filozofisë në Universitetin e Kalifornisë në Riverside. / Discover Magazine – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco