Një dramë e rëndë familjare dhe sociale është zbuluar pas arrestimit të një kryefamiljari gjatë protestave të fundit. Altin Hila, babai i një fëmije me aftësi të kufizuara, ka përfunduar në qeli pasi doli në rrugë me të birin për të kërkuar një zgjidhje që shteti shqiptar i ka mohuar prej vitesh.
Në një rrëfim prekës, ekskluziv për Syri Tv, bashkëshortja e tij ka zbuluar detaje rrëqethëse rreth kalvarit të vuajtjeve me të cilin përballet kjo familje.
Sipas dëshmisë së saj, fëmija është dëmtuar nga mjekët gjatë lindjes dhe për nëntë vite rresht i është dhënë vetëm medikamenti Luminal, pa asnjë ndërhyrje apo kurim të mirëfilltë brenda vendit.
Shpëtimi i vetëm sipas saj, ka ardhur nga Franca, ku një operacion emergjent i ka shpëtuar jetën, duke i vendosur një tub ushqimi përmes së cilit ushqehet prej dy vitesh, pasi e ka të pamundur të konsumojë çdo gjë nga goja.
Kostoja e mbijetesës së këtij fëmije bie e gjitha mbi supet e familjes, të cilët janë lënë në harresë totale. Për ushqimin e posaçëm që blihet në farmaci (5 mijë lekë të vjetra për shishe), tubat, shiringat dhe ilaçet për epilepsinë, shteti sipas së ëmës, nuk ofron asnjë rimbursim.
E gjithë familja, shton më tej ajo, mbahet me një pagesë qesharake invaliditeti, ku fëmija merr 280 mijë lekë të vjetra dhe babai, si kujdestar, vetëm 130 mijë lekë.
Në mes të këtij dëshpërimi, apeli drejtuar institucioneve është i qartë dhe urgjent: shteti duhet të marrë përsipër rimbursimin e ushqimit të posaçëm jetik, pajisjeve mjekësore dhe të ofrojë mbështetje për fizioterapi, shërbime që deri më sot i janë mohuar kategorikisht kësaj familjeje të zhytur në mjerim.
Altinin e kanë arrestuar edhe është brenda në burg, në qeli. Edhe unë nuk kam folur, vetëm pak. Kam folur nja as 6 sekondë. Më kanë thënë që më kanë arrestuar edhe jam brenda, dhe ja kanë marrë telefonin, ia kanë fikur. Që dje unë s'kam folur. Për djalin jam unë. Unë kam qenë në punë. Domethënë, punoja me një hotel. Altini ka shkuar në protestë që në ditën e parë të protestës me gjithë djalin, me të drejtën e tij sepse nuk po gjejmë një rrugëzgjidhje. Nuk e kemi gjetur në Shqipëri një rrugëzgjidhje, edhe prandaj e ka shtyrë me dalë në protestë.
Djalin e kam zbuluar që kur ka lindur. Djalin domethënë ma ka vrarë doktoresha gjatë lindjes. Domethënë që nëntë vjet, djali ka përdorur vetëm Luminal në Shqipëri. Pastaj kam shkuar zvarrë në Francë, atje e kam bërë operacion edhe e ushqej që dy vjet. Djali nuk ushqehet fare nga goja. Vetëm nga pegu. Nga goja fare as ujë, as ushqim, asgjë. Domethënë në Shqipëri nuk ka qenë, vetëm i kanë dhënë të pijë Luminal dhe asgjë më shumë. As operacion, asgjë. Operacionin ma ka mundësuar Franca, sepse shkova zvarrë. E panë që jeta e djalit rrezikon dhe u desh një ndërhyrje e menjëhershme që djali po mbijeton sot.
Altini merr 130 si kujdestar që kujdeset për Aleandron. Edhe djali merr 280. Djali domethënë merr kura që kur ka lindur e deri tani, me kura është. Përdorim Depakinën, i përdorim për epilepsi se e zë vonesa nga epilepsia. Madje dje e zuri epilepsia dhe u trembëm shumë, sepse vetëm, burri brenda, e vetme unë. Po falënderoj të gjithë shqiptarët, Zoti i ruajtë kudo që janë, që kanë kontribuar për familjen time, për djalin tim. Unë s'kam banesë, jetoj me qira. 350 mijë lekë qiraja, 100 mijë lekë ujë drita. Unë marr një rrogë 600 mijë lekëshe dhe nja 500 që i bije të marrë Altini me Aleandron. Ato i do Aleandro, ushqehet me ushqim të gatshëm që ia blej në farmaci, kushton 5 mijë lekë një shishe. Plus tuba, plus shiringa, ato janë të veçanta, plus ilaçet e çdo gjë.
Shumë, se po e vuaj edhe unë, edhe fëmijët. E kam lënë punën fare. E kam lënë sepse s'mund të lë djalin vetëm. Duhet të rrijë njëri se s'bën në shtëpi. Ose unë, ose Altini. Altini ka pësuar një aksident në Greqi dhe ka dhimbje koke. Po në Shqipëri nuk ka bërë ashtu... vizita, gjëra, përdor një ilaç për tensionin e lartë. Edhe s'punon dot, është bërë operacion nga hernia diskale para dy vjetësh, edhe ja ka marrë lekët e operacionit vëllait të Altinit. Akoma janë borxh, se s'kanë pasur. Unë s'ia dal dot me Aleandron, për hallet e tjera domethënë. Nga shteti, të më rimbursojë të paktën ushqimin e djalit. Të ketë ndonjë fizioterapist për djalin, kam shkuar për fizioterapi, nuk ma mundësojnë. Ushqimin jo, tubat jo. Çdo gjë në kurrizin tonë.
© SYRI.net