VIDEO/ Festa e Sh’Llezhdrit mbledh qindra besimtarë në kishën shekullore të Pruellit në Lezhë

11:28, 14/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Festa e Sh’Llezhdrit mblodhi qindra besimtarë në kishën me të njëjtin emër në fshatin Pruell të Lezhës. Kjo traditë, e rikthyer pas restaurimit të kishës gjashtë vite më parë nga Marjan Kola me mbështetjen e komunitetit, bëri bashkë banorë të zonës dhe të ardhur nga vende të tjera.

Besimtarët katolikë morën pjesë në ritualin fetar të zhvilluar në këtë objekt kulti mbi 600-vjeçar, duke e cilësuar këtë kremtim si një moment të rëndësishëm shpirtëror dhe bashkimi për komunitetin.

Një besimtare e pranishme në ceremoni u shpreh se kjo festë ka një domethënie të veçantë për banorët, pasi forcon lidhjet shpirtërore dhe traditën e zonës.

Famullitari i zonës, Dom Viktor Potaj, u shpreh se figura e Sh’Llezhdrit dhe mesazhi i tij mbeten frymëzim edhe në ditët e sotme, sidomos në një kohë kur, sipas tij, urrejtja dhe përçarja mes njerëzve janë gjithnjë e më të pranishme.

Në festë ishte i pranishëm edhe deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, i cili kërkoi më shumë vëmendje për zonën e Pruellit, duke e cilësuar atë si një territor me potencial të madh turistik dhe kulturor.

Në ditën e Sh’Llezhdrit, pranë kishës së restauruar u përurua edhe një memorial me figurën e Jezu Krishtit dhe me emrat e personave të varrosur dikur në këtë zonë, varret e të cilëve sot nuk ekzistojnë më.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco