Shenjat që tregojnë se fëmija juaj mund të jetë i varur nga rrjetet sociale

Shenjat që tregojnë se fëmija juaj mund të jetë i varur nga rrjetet sociale

15:03, 27/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një ekspert që trajton adoleshentë të varur nga rrjetet sociale ka zbuluar se cili është aplikacioni më i rrezikshëm dhe si mund ta kuptoni nëse fëmijët tuaj janë vërtet të varur.

Nik Dankli, 47 vjeç, është menaxher i operacioneve në UK Addiction Treatment (UKAT), ofruesi më i madh privat i trajtimit të varësive në Britaninë e Madhe.

Ai tha se numri në rritje i personave nën 18 vjeç që kërkojnë trajtim shfaq të njëjtat simptoma si njerëzit që luftojnë me varësinë ndaj alkoolit, drogës dhe lojërave të fatit.

Sipas tij, ndërsa WhatsApp është “gjigandi i fjetur” mes aplikacioneve që po i mbajnë fëmijët të lidhur pas ekranit, TikTok është “më i keqi”.

Eksperti paralajmëroi prindërit se simptoma që shpesh “justifikohen si sjellje tipike adoleshentësh” mund të jenë në fakt shenja të varësisë nga rrjetet sociale. Këto përfshijnë shmangien e kontaktit me sy, shpërfilljen e të tjerëve, shqetësimin fizik, mungesën e gjumit, përkeqësimin e shikimit, higjienën e dobët të përditshme dhe mungesën e përqendrimit.

ImageMë herët këtë javë, qeveria britanike njoftoi se do t’u ndalojë personave nën 16 vjeç aksesin në një sërë platformash të rrjeteve sociale. Ndalimi do të hyjë në fuqi në pranverën e vitit 2027.

Sipas UKAT, para pandemisë së COVID-19, në vitin 2019, rreth një në dhjetë persona që trajtoheshin për varësi nga substancat kishin edhe varësi nga rrjetet sociale. Deri në vitin 2026, ky raport është rritur në një në tre.

Dankli tha: “Për të parë simptomat e forta, mjafton të përpiqesh t’i marrësh telefonin një 15-vjeçari. Është mungesa e kontaktit me sy, vështirësia për të komunikuar ballë për ballë, shqetësimi fizik dhe fakti që sytë u shkojnë vazhdimisht te vendi ku ndodhet telefoni. Këto mund të konsiderohen si sjellje adoleshentësh, por me kalimin e kohës bëhen shumë të dukshme.

Ka edhe mungesën e gjumit nga lëvizja e pafundme në ekran, dhimbje koke, përkeqësim të shikimit, ulje të përqendrimit dhe rënie të koeficientit të inteligjencës.

Kjo është varësi, thjesht dhe qartë, një sjellje që nuk mund ta kontrollosh, një model përdorimi dhe simptoma abstinence. Ne e dimë dëmin që rrjetet sociale u shkaktojnë fëmijëve. Tani ky ndalim u jep mundësi prindërve dhe shkollave të thonë jo pa u përballur me presionin e bashkëmoshatarëve.”

Ai tha se disa të rinj nën 18 vjeç që paraqiten në qendrat e rehabilitimit të UKAT për varësi nga rrjetet sociale janë aq të fiksuar pas tyre, sa fshehin telefona të dytë, refuzojnë të dorëzojnë pajisjet e tyre, gënjejnë ose refuzojnë krejtësisht të paraqiten për trajtim.

ImageDankli parashikon se ndalimi do të pranohet nga të gjithë brenda pak muajsh dhe se të rinjtë “do ta harrojnë shpejt dhe do të vazhdojnë përpara”.

Ai tha se simptomat e abstinencës janë të pritshme, përfshirë ndryshimet e humorit, nervozizmin dhe debatet, por shtoi se prindërit dhe shkollat duhet t’i mbështesin të rinjtë gjatë kësaj periudhe.

Sipas tij, kërcënimi më i madh për suksesin e ndalimit do të jenë vetë prindërit që mund të shkelin rregullat duke u lejuar fëmijëve akses kur nuk duhet ta kenë.

Ai tha: “WhatsApp është ndoshta një gjigand i fjetur sepse përdoret kaq gjerësisht, por nuk do ta quaja rrjet social në kuptimin e plotë të fjalës. Për mua, TikTok është më i keqi, video të shkurtra, të shpejta, që japin menjëherë dozën e dopaminës. Njerëzit kalojnë nga njëra te tjetra pa përvetësuar asgjë.”

Ai shtoi se zbatimi i ndalimit mund të jetë i vështirë për prindërit e rinj, të cilët mund të kenë edhe vetë probleme me përdorimin e rrjeteve sociale.

Image

Megjithatë, ai tha se prindërit duhet ta shfrytëzojnë këtë ndalim për të fituar më shumë autoritet kur u thonë jo fëmijëve që duan të përdorin rrjetet sociale.

Ai tha: “Është si një tabu, sepse rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës sonë. Por kush përfiton realisht nga kjo përmbajtje? Varësia nga rrjetet sociale shfaqet njësoj si varësitë e tjera, kur e krahason me abuzimin me substanca. Ajo manifestohet në të njëjtën mënyrë, por kjo është një bisedë që i vë njerëzit në siklet. Por e kundërta e lidhjes njerëzore është rrjeti social. Unë e di se çfarë do të preferoja të bënte fëmija im, në vend që të jetonte në një botë që nuk ekziston dhe të synonte gjëra që nuk mund t’i arrijë kurrë.”

Ai përfundoi: “Jam optimist. Jepuni gjashtë muaj ose një vit dhe kjo nuk do të ketë më atë ndikim të madh te të rinjtë, ata do ta marrin veten. Nuk po ua heqim tani diçka që e kishin. Këtë ua kemi hequr tashmë. Tani po përpiqemi t’a kthejmë fëmijërinë.”/ Talker News – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco