Këshilli Bashkiak i Pogradec ka miratuar rritjen e tarifës së parkimit në disa zona të qytetit, duke e çuar atë nga 50 lekë në 100 lekë për orë.
Vendimi u mor në mbledhjen e zhvilluar dy ditë më parë, ku gjithashtu u miratua edhe zgjerimi i hartës së zonave me pagesë, të cilat do të menaxhohen nga shoqëria “Pogradeci Invest”.
Projektvendimi kaloi me 18 vota pro nga këshilltarët e majtë, 4 vota kundër dhe 2 abstenime, ndërsa gjatë seancës nuk munguan debatet mes anëtarëve të këshillit.
Disa këshilltarë e kundërshtuan rritjen e tarifave, duke e cilësuar si një barrë shtesë për qytetarët, ndërsa subjekte politike, përfshirë Partinë e Lirisë, reaguan publikisht duke u distancuar nga kjo vendimmarrje dhe duke theksuar se ajo rëndon në xhepat e qytetarëve.
Ky vendim parashikon një rritje me 100% të tarifës së parkimit për përdoruesit, pasi qytetarët dhe pushuesit që më parë paguanin 50 lekë për orë, tashmë do të duhet të paguajnë 100 lekë për të njëjtin shërbim.
Sakaq, Partia e Lirisë në Pogradec, denoncoi vendimin e këshilltarëve të majtë në Këshillin Bashkiak të Pogradecit, të cilët kanë votuar për rritjen e çmimeve. Në një dalje për mediat, sekretari politik i qarkut të Korcës Gentian Cela tha se me këtë vendimarrje Bashkia tregoi se nuk ka në fokus qytetarët por oligarkët. Ai u bëri thirrje qytetarëve të kundërshtojnë me votë Bashkinë në zgjedhjet e ardhshme vendore
© SYRI.net