SYRI TV/ Ndotja masive në Liqenin e Fierzës, aksion për heqjen e mbetjeve urbane e plastike

15:18, 25/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Liqeni i Fierzës, potencial i madh turistik dhe ekonomik për zonën e Kukësit, është ndotur masivisht në sipërfaqen e ujit dhe përgjatë brigjeve, me mbetje urbane e plastike. Prej dy ditësh ka nisur aksioni për pastrimin e tij, ku krahas pastrimit mekanik, theksi vendoset edhe tek ndërgjegjësimi i komuniteteve për të shmangur hedhjen e mbetjeve në lumenj.

Syri TV

Liqeni i Fierzës, një burim i rëndësishëm për prodhimin e energjisë elektrike, pasuri natyrore me potencial të madh turistik dhe ekonomik për zonën e Kukësit, shumë i frekuentuar nga turistë vendas e të huaj, është ndotur masivisht në sipërfaqen e ujit dhe përgjatë brigjeve. Fenomeni i ndotjes së shtuar në këtë liqen shfaqet kryesisht gjatë stinës së pranverës dhe vjeshtës, periudha me reshje intensive, kur prurjet nga lumenjtë Drin i Bardhë, Drin i Zi dhe degëzimet e tyre sjellin mbetje nga zona të ndryshme, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

Rritja e nivelit të ujit dhe erërat e forta ndikojnë më tej në përhapjen e këtyre mbetjeve, duke i depozituar ato në brigje dhe duke krijuar vatra të dukshme ndotjeje. Ndaj prej dy ditësh ka nisur aksioni për pastrimin e Liqenit të Fierzës, i cili është intensifikuar gjatë kësaj të shtune, si një ndërhyrje e domosdoshme për të përballuar ndotjen.

Krahas pastrimit mekanik në zonat ku janë grumbulluar sasi të konsiderueshme mbetjesh urbane, plastike dhe materialeve të tjera, theksi vendoset edhe tek ndërgjegjësimi i komuniteteve për të shmangur hedhjen e mbetjeve në lumenj, si dhe përmirësimi i sistemeve të menaxhimit të mbetjeve në të gjitha zonat që ndikojnë në këtë basen ujor. Kjo ndërhyrje është një hap i rëndësishëm për menaxhimin e situatës, por nuk është zgjidhje afatgjatë pa një bashkëpunim më të gjerë institucional dhe ndërkufitar.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco