VIDEO/ Banorët e Gjegjanit denoncojnë: Kompania ‘Trade Minerals Al’ shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën

21:43, 24/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në fshatin Gjegjan të Kukësit, kompania rumuno-bullgare, ‘Trade Minerals Al’, ka detyruar burrat e zonës të bëhen bashkë për të denoncuar krimin mjedisor dhe infrastrukturor që është shkaktuar në zonë.

Nga aktiviteti i përditshëm me kamionë të tonazhit të rëndë, është shkatërruar rruga që e lidh minierën me fshatin, është shkatërruar ujësjellësi dhe është ndotur mjedisi.

Nga pluhurat e shumta ka rënë riprodhimi i blegtorisë, bletët janë zhdukur, edhe ai pak ujë që banorët e fshatit e përdorin për të pirë, është i ndotur dhe me përmbajtje squfuri, e dëmshme për jetën e njerëzve.

Në vitin 1974 në kohën e Monizmit, janë ndërtuar 3 ura me gurë, të cilat konsiderohen vepra arti, por tani janë dëmtuar dhe janë në rrezik shembje për shkak të aktivitetit të kompanisë ‘Trade Minelars Al’.

Banorët e zonës janë ankuar tek kryetari i Njësisë Administrative Izmir Veseli, tek kryetari i Bashkisë Albert Halilaj, tek prefekti i qarkut Kukës, në Polici, Prokurori, Spak, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje për krimin mjedisor që kjo kompani e huaj ka shkaktuar në zonë.

Në bazë të dokumentacioneve që ata disponojnë, kanë konstatuar se aktiviteti i kompanisë u ka dëmtuar tokat bujqësore, livadhet, vreshtat, si pasojë e hapjes së rrugëve të reja të kalimit, duke cënuar të drejtën e pronësisë.

Për shkak të gërrmimeve që firma ka kryer, në tokat që u përkasin fshatarëve të zonës janë krijuar duna dheu, në vend që ato të depozitoheshin në landfille të posaçme dhe toka e fshatit të pyllëzohej e të ishte e vlefshme për blegtorinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco