Rritja e çmimit të naftës dhe mungesa e kompensimit nga shteti vijon të mbetet shqetësimi kryesor për shoferët e transportit publik ndërqytetas në Elbasan. Në prononcimet e dhëna për SYRI-n, ata shprehen se janë detyruar të mbajnë të pandryshuar çmimin e biletës, duke përballuar kostot nga xhepi i tyre dhe duke rrezikuar falimentin.
Sipas tyre, situata është përkeqësuar ndjeshëm, pasi përveç rritjes së çmimeve të karburantit, është ulur edhe numri i pasagjerëve. Shoferët tregojnë se në shumë raste kryejnë udhëtime vetëm me dy ose tre pasagjerë, çka e bën aktivitetin ekonomikisht të paqëndrueshëm.
Një pjesë e operatorëve janë detyruar të reduktojnë flotën e automjeteve për të përballuar kostot, ndërsa të tjerë paralajmërojnë mbylljen e aktivitetit nëse situata vijon në këto ritme. Ata theksojnë se, pavarësisht premtimeve, deri më tani nuk kanë marrë asnjë kompensim për rritjen e çmimit të naftës.
Nga ana tjetër, qytetarët që përdorin këtë shërbim, shumë prej tyre pensionistë, shprehen se përballimi i kostove të transportit dhe jetesës është bërë gjithnjë e më i vështirë. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga shteti për të lehtësuar situatën dhe për të garantuar vijimësinë e shërbimit.
© SYRI.net