SYRI TV
Në një kohë që çmimi i naftës në vend ka kapur shifra të papërballueshme për qytetarët, vendburimet me arin e zi në vend, vijojnë të shkaktojnë ndotje. I tillë është rasti me vendburimin e Drenovës, ndotja nga i cili ka prekur edhe lumin Vjosë. Janë banorët e fshatit Selishtë, të cilët për Syri TV kanë denoncuar rastin, ndërsa shtojnë se për shkak të naftës, po u dëmton ullinjtë dhe kultura të tjera bujqësore
Shqiptarët e paguajnë naftën më shtrenjtë se gjithë vendet e rajonit, por ndërkohë shumë zona në vend ndoten nga ari i zi. Duket paradoksale, por është fakt se si një pasuri e tillë, nuk u shërben qytetarëve por përkundrazi i dëmton ata. Rasti flagrant është ai që po ndodh në Vjosë, me lumin që vijon të kërcënohet nga ndotja e shkaktuar prej naftës bruto që dyshohet se është i puseve të Drenovës.
Sipas vëzhgimeve në fshatin Selishtë si dhe dëshmive të banorëve, prej tre ditësh nafta bruto që rrjedh nëpër përrenjtë e Gorishovës, përshkon territorin e fshatit dhe përfundon në shtratin e lumit. Banorët tregojnë se kjo nuk është një dukuri e re pasi sipas tyre, ndotje të tilla ndodhin vazhdimisht, por në përmasa të mëdha shfaqen një ose dy herë në vit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në bujqësi.
Banorët shtojnë se ndotja po dëmton rëndë të mbjellat, frutikulturën, vreshtat dhe ullishtet në zonë, duke ndikuar drejtpërdrejt në ekonominë e tyre familjare. Një ditë më parë, sipas tyre, në zonë janë parë punonjës të Albpetrol, të cilët kanë kryer inspektime përgjatë kanalit deri në derdhjen e tij në lumin Vjosë.
Banorët akuzojnë për indiferencë institucionet përgjegjëse, duke theksuar se problematika është e përsëritur dhe ende nuk ka një zgjidhje konkrete.
© SYRI.net