SYRI TV
Besimtarët Katolikë në mbarë botën kremtojnë sot pashkët, festa e shpresës dhe ringjalljes. Pas meshës së shenjtë të mesnatës, ritualet fetare vijuan edhe paraditen e kësaj të diele, ku në këtë ditë të shenjtë drejtuesit e meshave u bënë thirrje besimtarëve ta duan njëri-tjetrin dhe të përhapin dritën e mirësisë, për të pasur ditë të bekuara dhe zemra të paqta.
Besimtarët Katolikë në mbarë botën kremtojnë sot pashkët, festa e shpresës dhe ringjalljes. Në Tiranë mesha e mesnatës u mbajt në Katedralen “Shën Pali”, ku me qirinj të ndezur në duar, simbol i dritës hyjnore, besimtarët katolikë iu bashkuan ritualit fetar të mbrëmjes të së shtunës. Në kryeqytet mesha u drejtua nga Imzot Arjan Dodaj, i cili përcolli mesazhe paqeje e dashurie, duke theksuar edhe rëndësinë shpirtërore të kësaj feste.
Pashkët u kremtuan edhe në Lezhës si një nga qarqet me përqendrimin më të madh të besimtarëve katolik në vendin tonë. Qindra besimtarë iu bashkuan ritualit fetar të mbrëmjes të së shtunës në Katedralen e “Shën Nikollit”. Mesha e shenjtë e Ringjalljes u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Imzot Otavio Vitale, i cili në fjalën e tij e përshkroi pashkën si momentin kur besimi triumfon mbi mëkatin. Sipas tij, Pashka na fton të jetojmë me gëzim, paqe dhe besim.
Në Shkodër Mesha e Shenjtë e Pashkës u mbajt në Katedralen e Shën Shtjefnit, drejtuar nga arqipeshkvi Giovanni Peragine, i cili bëri thirrje për më shumë dashuri dhe mirëkuptim ndaj njëri-tjetrit.
Besimtarët katolikë në Lushnjë u mblodhën në kishën e Shën Palit e Pjetrit. Ceremonia ka nisur me marrjen e flakës nga qiriu i kishës dhe më pas meshën e drejtuar nga Don Darku e Don John. Mëngjesin e së dielës besimtarët kanë marrë pjesë në ritin tradicional të festimit të ngjalljes së Krishtit.
Besimtarët katolikë të qarkut të Beratit kanë kremtuar mesnatën e djeshme Pashkët, ku rreth 300 familje katolike të qyteteve Berat e Kuçovë, janë bashkuar në Kishën “San Luca” në qytetin e Kuçovës. Mesha e shenjtë e Pashkëve është mbajtur nga Prifti Giuseppe Tossi, i cili ka drejtuar lutjen e traditës sipas liturgjisë,
Edhe në Durrës besimtarët katolikë iu drejtuan kishave, ku ndoqën meshat e shenjta, si dhe ndezën qirinj, simbol i mbizotërimit të dritës ndaj errësirës.
Në këtë ditë të shenjtë për besimtarët katolikë, drejtuesit e meshave u bënë thirrje besimtarëve ta duan njëri-tjetrin, të përhapin dritën e mirësisë, për të pasur ditë të bekuara dhe zemra të paqta.
© SYRI.net