Besimtarët katolikë të Shkodrës dhe Lezhës kanë kremtuar të Premten e Zezë, apo siç njihet ndryshe “Udha e Kryqit”. Rituali fetar bashkoi dhjetëra qytetarë, të cilët, të udhëhequr nga përfaqësues të klerit katolik, marshuan së bashku, ndërsa u lutën për paqe dhe prosperitet. Ndërkohë, këtë të shtunë, besimtarët katolikë në Lezhë iu drejtuan kishave për bekimin e ushqimit që do të konsumohet të dielën e Pashkëve.
Besimtarët katolikë të Shkodrës kanë marrë pjesë në procesionin e të Premtes së Madhe. Arqipeshkvi i Shkodrës, imzot Giovanni Peragine, tha se Udha e Kryqit na bën të mendojmë se edhe sot përjetojmë padrejtësi në vendin tonë. Ai u ndal edhe te luftërat në vende të ndryshme, teksa shtoi se kemi nevojë për paqe dhe nuk duhet të jemi indiferentë ndaj vuajtjeve të të tjerëve.
Edhe besimtarët katolikë në Lezhë kanë kremtuar të Premten e Zezë, apo siç njihet ndryshe “Udha e Kryqit”. Ritualit fetar iu bashkuan dhjetëra qytetarë, të cilët, të udhëhequr nga përfaqësues të klerit katolik, u nisën nga sheshi “Gjergj Kastrioti” i qytetit dhe marshuan deri në kalanë e qytetit, duke kujtuar në këtë mënyrë mundimet e Jezu Krishtit.
Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, imzot Otavio Vitale, u shpreh se e Premtja e Madhe është dita më e rëndësishme e javës së Pashkëve.
Ndërkohë, gjatë kësaj të shtune, besimtarët katolikë në Lezhë, me shportat e ushqimeve në duar, u janë drejtuar kishave për të bekuar ushqimin që do ta konsumojnë të dielën e Pashkës. Bekimi i bukës mbetet një nga momentet më të rëndësishme të festave fetare, një traditë e ruajtur me përkushtim ndër breza. Besimtarët shprehen se kjo është një ditë me rëndësi të veçantë shpirtërore për ta, pasi, përveç ruajtjes së traditës, është edhe një moment lutjeje dhe reflektimi.
Rituali i bekimit të bukës mbetet një moment i veçantë që kujton vlerat e besimit dhe unitetin familjar. Të dielën, besimtarët katolikë kremtojnë Pashkët, festën që simbolizon ringjalljen e Krishtit pas kryqëzimit të tij.
© SYRI.net