SYRI TV/ Mallakastër, fshati Selitë i lënë në harresë, banorët: Askush nuk kujtohet për ne

16:15, 04/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Banorët e fshatit Selitë, në njësinë Fratar të Mallakastrës, prej më shumë se 50 vitesh vuajnë mungesën e infrastrukturës rrugore. Ata shprehen se, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme, askush nuk ka investuar në rrugën që lidh fshatin me zonat e tjera. Ndërkohë, përveç rrugës, banorët e kësaj zone vuajnë edhe mungesën e ujit, si dhe të shërbimit shëndetësor.

Prej afro gjysmë shekulli, rruga kryesore që lidh qendrën e Fratarit me fshatin Selitë mbetet në gjendje të mjerueshme. Kjo situatë e rëndë është denoncuar nga vetë banorët e mbetur në fshat, kryesisht pensionistë, të cilët përballen çdo ditë me izolim dhe mungesë totale shërbimesh. Sipas tyre, dikur Selita ka qenë një fshat i gjallë me rreth 300 banorë dhe disa familje të mëdha, ndërsa sot kanë mbetur më pak se 50 persona. Banorët tregojnë se ndërhyrja e fundit në rrugë daton që në kohën kur u ndërtuan rezervuarët në vitet ’70 dhe, që nga ajo kohë, askush nuk ka vënë dorë në këtë aks jetik.

Edhe furnizimi me ujë mbetet një tjetër plagë e hapur. Banorët shprehen se kanë ujë vetëm për rreth 9 muaj të vitit, ndërsa vështirësitë më të mëdha i hasin gjatë verës.

Të ndodhur në kushte të tilla, banorët e Selitës lëshojnë një apel të fortë ndaj institucioneve, duke paralajmëruar se nuk do të marrin më pjesë në votime nëse nuk ndërhyhet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco