Lagështirë, infeksione dhe presione/ Të ‘fshehtat’ e azilit në Tiranë! Punonjëset ‘flaken’ me një telefonatë!

22:15, 27/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qendrat e Kujdesit për të moshuar, pretendohet të jenë mjedise që ofrojnë qetësi, kujdes dhe dashuri, për të gjithë ata, që për arsye të ndryshme, janë larguar nga banesat e tyre duke u lënë nën kujdesin e një personeli të specializuar. Por me sa duket jo gjithmonë ndodh kështu. Sepse ndërkohë që shohim dita ditës një shtim të këtyre strukturave private, sidomos në Tiranë, institucionet shtetërore nuk kanë kapacitetin e duhur për të testuar stafet dhe kushtet që ofrohen për të moshuarit.

Si në rastin që do ju tregojmë. Jemi pranë Qytetit Studenti, në azilin e të moshuarve, Joshua Center, i cili prej vitesh operon në tregun e kujdesit shëndetësor dhe social për të moshuarit. Por teksa shohim godinën, vërejmë se nuk ka asnjë tabelë informuese, për të na treguar për aktivitetin që ndodh atje brenda. Mure të larta, të mbuluara, porta që rrinë mbyllur me dryn e çelësa në çdo anë dhe veshje metalike që më shumë të japin idenë e një qendre rehabilitimi se sa të një azili ku të moshuarit duhet të kalojnë kohën në qetësi dhe relaks.

Sepse fundja të afërmit e tyre paguajnë jo vetëm për shërbimin, por edhe për ambientin ku të moshuarit do të akomodohen. Në realitet informacionin për kushtet skandaloze në këtë strukturë, e morëm nga katër zonja, të cilat në situatën e një largimi të padrejtë nga puna, vendosën të tregojnë se çfarë ndodh brenda atyre mureve.

Zonjat shprehen se kanë punuar në kushte skandaloze higjieno-sanitare, rrogat i merrnin në dorë, punonin pa leje vjetore. Madje tregojnë se si i ndërronin të sëmurët, disa prej tyre me probleme të shëndetit mendor, duke e bërë edhe më të rëndë situatën. Njëra nga zonjat tregon se ka marrë edhe infeksion në sy dhe duar për shkak të punës.

Por ndërkohë që punonin në kushte të tilla, ato pushohen nga puna vetëm me një telefonatë, nga drejtoresha e azilit, Majlinda Treska. Kjo e fundit as nuk denjon më as t’u japë një sqarim, Adrianës, Mimozës, Dhuratës dhe Meribanit, të cilat pasi punuan për dekada në azilin e saj, i flaku në rrugë. Gjithçka me një klik. Asnjë sqarim, asnjë pretendim për shkelje apo abuzim në punë. Ik se nuk të dua më.

Ndaj për të kuptuar si qëndron e vërteta, shkuam vetë në azilin Joshua Center. Por ishte e shkruar ta takonim me herën e parë drejtoreshën. Dyert ishin të mbyllura, punonjëset aktuale bënin sehir nga dritaret teksa shihnin ish-koleget duke pritur të takonin drejtoreshën, ndërkohë që kjo e fundit u mbyll brenda duke shmangur ballafaqimin me Adrianën, Mimozën, Dhuratën dhe Meribanin të cilat qëndronin jashtë portës së hekurit në pritje të një përgjigjeje…

Kështu që shkuam sërish pak ditë më vonë… por e njëjta situatë, dyert e azilit ishin të mbyllura, dhe askush nuk na dha mundësinë ta sqarojmë situatën. Në këto kushte vendosëm të telefonojmë administratorin e Joshua Center zotin Parid Treska, i cili është djali i drejtoreshës. Por ky i fundit me një sjellje arrogante, mbyll telefonin dhe nuk jep asnjë sqarim.

Në kushtet kur edhe kësaj radhe nuk morëm asnjë përgjigje, bashkë me katër gratë shkojmë drejt Inspektoriatit të Punës, ku zonjat bënë padi për largimin e padrejtë nga puna. Reagimi i inspektoriatit nuk vonoi. Dy grupe inspektimi, për kushtet e punës dhe shërbimin e kujdesit shëndetësor dhe shoqëror u vunë menjëherë në lëvizje. Dhe konstatuan shkelje të njëpasnjëshme në azilin Joshua Center.

E nëse mendoni se paligjshmëria në Joshua Center mbyllet tek katër sanitaret, tani kalojmë pak tek kushtet në të cilat mbahen të moshuarit, të afërmit e të cilëve paguajnë shuma të majme për t’i akomoduar aty. Sipas Inspektoriatit të Punës, azili ka mungesë në dokumentacionin e stafit sa i përket kujdesit shëndetësor, ndërsa akoma më i rëndë është fakti i mungesës së specialistëve të fushës, si psikologë apo punonjës social. Për të mos folur pastaj për kushtet e tualeteve, lagështirën dhe mungesën e dokumentacionit shoqërues për çdo rezident në azil.

I di gjithë këto gjëra drejtoresha Majlinda Treska, me të cilën me pak fat arritëm të takoheshim. Por edhe drejtoresha ashtu si dhe i biri nuk pranon të japë asnjë përgjigje, largohet me nxitim dhe përplas portën. Po e përmbledhim edhe njëherë. Zonja nuk ka respektuar në asnjë moment të vetëm Kodin e Punës, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të zonjave, e duke i mbajtur në punë pa kontratë, me rroga gjysmake, të padeklaruara, dhe duke mos u ofruar asnjë kusht higjene. Dhe në fund i ka flakur.

(KUJDESKy është artikull ekskluziv i Syri Tv dhe Syri.net, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Syri Tv ose Syri.net” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
.)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco