Besimtarët e Beratit kanë festuar sot Sulltan Novruzin, një ditë të shënuar për besimtarët bektashinj. Ceremonia u organizua nga Tarikati Islam Rifai, i drejtuar nga Sheh Ali Xhemil Hoxha, dhe në të morën pjesë jo vetëm besimtarë bektashinj beratas, por edhe përfaqësues të Kishës Katolike, të pushtetit vendor dhe të forcave politike.
Gjatë ceremonisë festive u mbajtën ligjërata fetare mbi jetën dhe veprën e Imamit Ali, ndërsa Sheh Ali Xhemil Hoxha theksoi rëndësinë e kësaj feste për komunitetin. Ai shpjegoi se Sulltan Novruzi shënon fillimin e vitit të ri sipas traditës bektashiane dhe përkon me ditëlindjen e Imamit Ali në Qabe.
“Festa e Sulltan Novruzit bashkon të gjithë myslimanët në Shqipëri. Familjet, pasi festojnë në darkë në shtëpitë e tyre, të nesërmen shpërndajnë sevape nga racionet e tyre, si mish, byrek etj. Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe,” u shpreh Sheh Ali Xhemil Hoxha.
Novruzi është një ditë e veçantë për besimtarët myslimanë, ku çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa dhe ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo shënon fillimin e një dite të re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Dita e Sulltan Novruzit celebron ditëlindjen e Imamit Aliut në Qabe, duke theksuar mesazhin e shpresës dhe bashkimit për besimtarët.
© SYRI.net