Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protesta para kryeministrisë, mijëra shqiptarë dhe diaspora në këmbë

'Gegë, fshati i harruar i Kuçovës'/ 30 vjet pa rrugë, banorët: Jetojmë mes baltës

'Gegë, fshati i harruar i Kuçovës'/ 30 vjet pa rrugë, banorët: Jetojmë mes baltës

10:42, 21/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fshati Gegë në bashkinë Kuçovë jeton prej më shumë se 30 vitesh në kushte të rënda infrastrukturore. Rrugët e fshatit janë të shkatërruara, pa kanalizime, të mbushura me gropa dhe baltë, ndërsa rrjedhja e naftës nga puset e zonës kërcënon prodhimet bujqësore dhe jetën e përditshme të banorëve.

Lagjet e fshatit, duke filluar nga Dikatra, Gjolenaj e deri te Gegë, janë mes llucës dhe baltës, ku banorët shpesh janë detyruar të hedhin vetë çakull për të mbuluar gropat dhe për të mundësuar kalimin e automjeteve.

Kanalizimet nuk ekzistojnë, dhe banorët duhet të hapin vetë gropa për thithjen e ujërave të larta, në mënyrë që uji të mos hyjë në oborret e shtëpive.

Situata bëhet problematike sidomos gjatë dimrit, kur banorët dalin me çizme llastiku për të ecur në rrugë, por edhe gjatë verës, kur pluhuri mbulon të gjithë lagjen.

Për më keq, rrjedhja e naftës ka dëmtuar tokat bujqësore, duke kërcënuar prodhimin dhe mbijetesën ekonomike të familjeve.

Banorët e fshatit shprehen të zhgënjyer dhe të injoruar nga pushteti lokal: “Rruga ka më shumë se 30 vjet në këtë gjendje. Na hedhin çakull në çdo fushatë elektorale dhe më pas harrojnë që ekzistojmë,” thonë ata.

Pavarësisht ankesave të shumta në bashkinë Kuçovë, askush nuk ka ndërmarrë masa për përmirësimin e infrastrukturës, duke detyruar banorët që të durojnë dhe të mbijetojnë çdo ditë në këto kushte të rënda.

Në Gegë jetojnë rreth 100 familje, shumica mbi 50 vjeç, pasi të rinjtë janë larguar drejt kryeqytetit dhe jashtë vendit për shkak të kushteve të vështira të jetesës.

Fshati po përballet me një realitet të dhimbshëm: mungesa e rrugëve dhe kanalizimeve, rrjedhja e naftës dhe pluhuri i pandërprerë e kanë kthyer jetën e përditshme në një sfidë të përhershme, duke e lënë banorët të ndihen të harruar dhe të braktisur nga institucionet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco