Në Shqipëri, projektet infrastrukturore zakonisht prezantohen si zgjidhje për trafikun dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Por në shumë raste, realiteti është ndryshe, me punime të papërfunduara, projekte pa zgjidhje konkrete dhe qytetarë që mbeten me orë të bllokuar në trafik.
Por rasti që do ju tregojmë është edhe më skandaloz, pasi prek direkt interesat e një komuniteti. Jemi në ish-sheshin ‘Shqiponja’, një nga nyjet kryesore të hyrjes në Tiranë dhe pjesa më e rëndësishme e ndërtimit të Unazës së Madhe. Një projekt që ka prodhuar jo vetëm trafik dhe kaos, por edhe hetime penale për drejtues të lartë shtetërorë.
Sipas banorëve, prej disa vitesh kanë kërkuar ndihmën e institucioneve, por nuk kanë marrë kurrë zgjidhje. Madje Bashkia e Tiranës, u ka kërkuar banorëve, të largojnë makinat, ose ndryshe do t’iu bllokohen.
Ndërkohë që institucioni i Avokatit të Popullit bien ë kontraditë me veten, pasi njëherë u thotë banorëve se problemi i tyre qëndron e më pas, shprehet se kërkesa e tyre tashmë nuk qëndron pasi në rrugë është rikthyer normaliteti. Gje që nuk qëndron. Pra institucioni që duhet të ishte në krah të banorëve, u kthen shpinën, ndërkohë që 25 familje janë të bllokuar.
Ndërkohë Autoriteti Rrugor Shqiptar, përmes një shkrese bën me dije se është në përgjegjësinë e Bashkisë së Tiranës, që t’u japë zgjidhje banorëve, duke shtuar se ata nuk kanë marrë masa për bllokimin e rrugës që lidhet me Unazën e Madhe, pasi presin një zgjidhje për banorët nga ana e bashkisë.
Prandaj, për të evituar pingpongun me shkresa, vendosim të takohemi vetë me drejtorin e rrugëve të bashkisë së Tiranës. Piro Sinjari. Ky i fundit, shprehet se derisa të jepet një zgjidhje përfundimtare, institucioni që ai drejton do të japë një zgjidhje provizore që banorët të mos mbesin të izoluar.
Ndërkohë që të njëjtën gatishmëri për zgjidhje të problemit, e jep dhe drejtoresha e investimeve të Punëve Publike, Alika Dulja. Tashmë mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë dhe më në fund ti jepet një zgjidhje përfundimtare hallit 5-vjeçar të 25 familje që rrezikojnë të mbesin të izoluar në mes të Tiranës./Piranjat
© SYRI.net