Këpucaria është një nga zanatet që po zhduket gradualisht në qytetin e Elbasanit. Ndërsa dikur ishte një nga profesionet më të preferuara, sot numërohen vetëm rreth katër kepucëra në qytet, të gjithë në moshë të thyer.
Nedai Kambo, 72 vjeç, vazhdon të ushtrojë këtë profesion me pasion dhe përkushtim të madh. Ai rrëfen se ky zanat i hyri në zemër që kur ishte fëmijë dhe që nga mosha 13-vjeçare nuk i është ndarë kurrë.
“Sot askush nuk e preferon këtë profesion, ndonëse fitimet nga puna janë të kënaqshme. Të rinjtë duan të pasurohen shpejt, dhe kjo është për të ardhur keq, sepse kepucaria po zhduket,” shprehet ai.
Sipas tij, sot preferohen produktet e lira dhe jo cilësore, të cilat prishen shpejt. Ndërkohë, puna e dorës nga kepucët është shumë më cilësore, por nuk vlerësohet sa duhet.
Ai shton se sot kepucët kryejnë kryesisht riparime, pasi puna manuale nuk shihet me të njëjtën rëndësi.
Fatmirësisht, Nedai Kambo ka arritur t’ia transmetojë këtë zanat djalit të tij, për të cilin ndihet shumë krenar.
Ai i bën thirrje të gjithë të rinjve që t’i përkushtohen punës së zanatit të kepucarisë, sepse, sipas tij, është një profesion që kurrë nuk të lë pa fitime.
© SYRI.net