Fermerët e Zvirinës në vështirësi: kostot rriten, prodhimi mbetet pa treg

Fermerët e Zvirinës në vështirësi: kostot rriten, prodhimi mbetet pa treg

13:04, 08/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fermerët në zonën e Zvirinë po përballen me vështirësi të shumta ekonomike, duke bërë që shumë prej tyre të heqin dorë nga puna në bujqësi ose t’i japin tokat me qira.

Emigrimi i të rinjve, mungesa e tregut për prodhimet bujqësore dhe kostot e larta të prodhimit mbeten disa nga shqetësimet kryesore të fermerëve të zonës.

Një prej fermerëve tregon se sot jeton vetëm me bashkëshorten, pasi fëmijët dhe të rinjtë janë larguar jashtë vendit.

Për shkak të moshës 75-vjeçare ai është detyruar që parcelat e mbjella me mollë t’i japë me qira, pasi nuk ka më mundësi t’i punojë vetë.

Sipas tij, gjatë viteve problem kryesor ka qenë edhe mungesa e tregut për prodhimin, i cili shpesh është shitur me çmime shumë të ulëta ose është hedhur.

Ai shton se jetesa me pension është shumë e vështirë, ndërsa vetëm për ilaçet shpenzon rreth 100 mijë lekë në muaj.

Edhe fermerë të tjerë të zonës shprehen se bujqësia po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme.

Njëri prej tyre thotë se prodhimet e fermerëve korçarë janë cilësore, por kostot e prodhimit janë shumë të larta dhe shpesh produktet nuk arrijnë të shiten.

Problematike mbeten edhe përmbytjet e tokave dhe mungesa e subvencioneve të mjaftueshme për fermerët.

Sipas tij, dikur punonte rreth 22 deri në 25 hektarë tokë, ndërsa sot ka mbetur vetëm me 7 hektarë, pasi pjesën tjetër është detyruar ta lërë për shkak të vështirësive ekonomike.

Fermerët e zonës së Zvirinës thonë se pa mbështetje më të madhe dhe pa një treg të qëndrueshëm për prodhimet bujqësore, gjithnjë e më shumë fermerë do të detyrohen të braktisin tokat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco