Barnat për sëmundjet tumorale janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u gjetur në farmaci nga pacientët. Kontrolli I Lartë I Shtetit ka evidentuar problematika të shumta të furnizimit me barna për trajtimin e këtyre sëmundjeve ku sipas raportit gjysma e barnave antitumorale të autorizuara për tregtim nuk janë importuar kurrë gjatë periudhës 2021–2025.
Syri TV
Pacientët me sëmundje tumorale prej vitesh hasin probleme të shumta me trajtimin që marrin në spitale, si dhe medikamentet që u ofrohen, ose mungesës së këtyre të fundit, duke u rrezikuar jetën dita-ditës.
Qytetarët në Onkologjik dëshmojnë:
"Ishte shumë e vështirë të gjesh ilaçet. Pastaj lekë shumë"
"Shteti thotë se rimbursohen ilaçet por asnjë nga ato nuk rimbursohet. 6 kokrra i marrim 15 mijë lekë. Për një kimioterapi duhen 3 pako"
"Kemi tre orë që presim dhe ilaçet nuk kanë ardhur"
Lexo dhe: Alarmi për pacientët me kancer/ Mungesa e barnave antitumorale
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një raport të auditimit tematik mbi disponibilitetin e barnave për trajtimin e sëmundjeve tumorale, evidenton problematika të shumta të furnizimit me barna për trajtimin e këtyre sëmundjeve.
Auditimi ka përfshirë institucionet kryesore në zinxhirin e sigurimit të barnave, si Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Agjencinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, si dhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ndër të tjera, auditimi zbulon se pothuajse gjysma e barnave antitumorale të autorizuara për tregtim nuk janë importuar kurrë gjatë periudhës 2021–2025.
Kjo situatë ka krijuar boshllëqe të mëdha në furnizimin e barnave kritike, duke rritur rrezikun për pacientët që kërkojnë trajtim të menjëhershëm. KLSH thekson se nga 49 raste të vonesave, Drejtoria e Kontrollit ka ndërmarrë masa vetëm në dy raste, duke lënë të paprekura shumicën e subjekteve përgjegjëse për furnizimin me barna.
© SYRI.net