Nga SYRI TV
Avni Kallo është një nga mjeshtrit e fundit në Korçë që mban gjallë zanatin tradicional të thurjes së thuprës, një trashëgimi e trashëguar brez pas brezi prej më shumë se gjysmë shekulli. Përmes punës së tij të përditshme dhe gatishmërisë për t’ua mësuar zanatin të rinjve ai përpiqet të ruajë një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor të qytetit.
Në qytetin e Korçës vazhdon të mbijetojë një prej traditave më të hershme artizanale thurja e thuprës. Kjo trashëgimi e rrallë ruhet prej më shumë se gjysmë shekulli nga Avni Kallo, një nga mjeshtrit e fundit që e ushtron ende këtë zanat me të njëjtin përkushtim si në ditët e para.
Në punishten e tij të thjeshtë, mes mjeteve të vjetra dhe aromës së drurit të lagur, Avniu i jep formë thuprës, duke e kthyer atë në shporta, karrige, tavolina dhe objekte të tjera artizanale. Zanati është trashëguar nga i ati dhe e ka shoqëruar që në fëmijërinë e hershme.
Materiali kryesor i përdorur është purteka, e njohur si thupër, e cila dikur kultivohej, ndërsa sot gjendet kryesisht pranë lumenjve. Për disa produkte përdoret purtekë italiane, më e përshtatshme për punim, ndërsa për mobiliet nevojitet bambu, e cila sigurohet me vështirësi. Procesi i përgatitjes së lëndës së parë kërkon kohë duke zgjatur shpesh deri në një vit.
Ai shprehet i gatshëm të ndajë përvojën e tij me këdo që dëshiron të mësojë, duke e parë këtë zanat si një mundësi reale punësimi.
Dy vite më parë, me mbështetjen e UNDP-së, Avniu realizoi një projekt trajnimi në Bilisht, ku u përfshinë 15 persona, edhe pse vetëm pak prej tyre arritën ta përvetësojnë plotësisht zanatin. Sot, produktet e tij kërkohen jo vetëm në tregun vendas, por edhe në Greqi dhe Maqedoni, veçanërisht për ambiente të brendshme dhe të jashtme.
Pavarësisht vështirësive, Avni Kallo vijon të punojë çdo ditë me bindjen se ky zanat nuk duhet të humbasë.
© SYRI.net