Tregtarët e Tregut Industrial në Vlorë janë mbledhur sot pranë Pallatit të Kulturës, ku po zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak, për të kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme lidhur me vendosjen e tyre, pas nisjes së punimeve për tregun e ri. Me fillimin e punimeve, shumë tregtarë kanë mbetur pa hapësirë të përshtatshme për të zhvilluar aktivitetin e tyre, duke i vendosur në një situatë të pasigurt ekonomike dhe sociale.
Ata kërkojnë që Bashkia të ofrojë një treg të mirëfilltë, ku të mund të punojnë normalisht, pa rrezikuar fitimet dhe klientët e tyre.
“Ne kërkojmë një vend ku të mund të punojmë normalisht, pa frikë se do të humbasim klientët dhe fitimet tona. Është e rëndësishme që Bashkia të na japë një zgjidhje përfundimtare, jo vetëm premtime të përkohshme,” tha një nga tregtarët e pranishëm.
LEXO EDHE: Tensionohet situata në Bashkinë e Vlorës, tregtarja: Merr armët e më vrit, por nga puna nuk lëviz
Sipas tyre, zgjidhja duhet të jetë konkrete dhe e drejtë për të gjithë, duke marrë parasysh investimet dhe kohën që ata kanë kaluar në këtë treg, dhe jo thjesht një vend i përkohshëm që nuk garanton funksionimin e tyre normal.
Tregtarët paralajmërojnë se do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre nëse nuk ka një reagim të shpejtë nga Bashkia.
Ata nënvizuan se mosvënia në dispozicion e një hapësire të përshtatshme jo vetëm dëmton ata ekonomikisht, por krijon pasiguri për familjet që varen nga aktiviteti i tyre në treg.
LEXO EDHE: VIDEOLAJM/ Tregtarët futen me forcë brenda Bashkisë së Vlorës
Për këtë arsye, ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe një plan të qartë për vendosjen e tregtarëve dhe funksionimin e tregut të ri, duke theksuar se një zgjidhje e drejtë dhe e qëndrueshme është e vetmja mënyrë për të shmangur tensionet dhe problemet që mund të lindin nga situata aktuale.
© SYRI.net