Rritja e përvitshme e çmimit të duhanit, e kthyer tashmë në një traditë në prag të çdo viti të ri fiskal, fsheh pas vetes një problematikë të dyfishtë që dëmton rëndë si konsumatorët ashtu edhe arkën e shtetit.
Eksperti për çështjet e duhanit, Roland Shuperka, i ftuar ditën e sotme në Kafe Shqeto tha se ndërsa justifikimi zyrtar është rritja e të ardhurave në buxhet, realiteti tregon se kjo strategji po ushqen një treg masiv të paligjshëm, duke shkaktuar një humbje prej rreth 100 milionë eurosh në vit për buxhetin.
Zyrtarisht, duhani është burimi i dytë më i madh i të ardhurave nga zhdoganimet pas karburanteve, me 286 milionë euro të arkëtuara në vitin 2023 dhe një parashikim për 290 milionë euro këtë vit.
Megjithatë, Shuperka thekson se barrën e taksave të rritura nuk e mbajnë kompanitë ndërkombëtare, por konsumatorët shqiptarë, xhepat e të cilëve rëndohen vazhdimisht. Ai shpjegon se në një paketë cigaresh që kushton 300 lekë (të reja), plot 72% e vlerës, ose 224 lekë, shkojnë për taksa.
Ky ngushtim i tregut formal ka krijuar hapësira të mëdha për tregtinë ilegale, të cilën eksperti e cilëson si "kancerin e shoqërisë shqiptare". Ai sjell një shembull krahasues ku Shqipëria, me një popullsi më të madhe se Kosova, ka zhdoganuar 3,520 tonë duhan, ndërsa Kosova ka zhdoganuar 4,831 tonë.
Kjo diferencë, tregon qartë përmasat e kontrabandës në vend, e cila llogaritet në rreth 1,400 tonë në vit. Përtej dëmit ekonomik, politikat aktuale kanë dështuar të përmbushin objektivin kryesor: mbrojtjen e shëndetit publik.
Deklarata e plotë:
“Qëllimi është që të rriten para në buxhet të shtetit dhe duhanet zënë vendin e dytë në zhdoganimet, mbas karburantit.
Pra, për vitin 2023, 286 milionë euro u derdh në buxhet të shtetit nga zhdoganimet. Ndërsa për këtë vit mendohet që të jetë te 290 milionë euro.
Por ju dhatë një shifër, që janë rritur 9% zhdoganimet këtij e vitit 2025 në krahasim me 2024. Atëherë unë po ju them që, në qoftë se ne kemi shkuar në shifrën 3.520 tonë duhan, të zhdoganuar, Kosova ka shkuar në 4.831 tonë, me importim më të vogël.
Pra, tregon është ajo që ju theksuat, tregtia e paligjshme është kanceri i shoqërisë shqiptare, tek pirja e duhanit.
Në rast se ne rrisim, siç ju e theksuat, çmimet e produkteve të kompanive serioze ndërkombëtare, që veprojnë me norma të rregullta kjo është normale.
Çmimet do rriten dhe nuk do t'i paguajnë kompanitë. Do t'i paguajnë konsumatorët shqiptarë. Pra, do rëndohen xhepat e konsumatorëve.
Në rast se në një paketë cigare, që sot kushton 3.000 ALL të vjetra, 72% përbëjnë taksat e duhanit, që i vete, në një paketë cigare, 3.000 ALL të vjetra, 2.240 ALL shkon taksat e duhanit. Pra që derdhen në buxhet të shtetit. Ndërsa, 500 ALL të vjetra është ajo paketa e cigareve me 20 cigare, kaq shkon. Dhe pjesa tjetër është transporti edhe prodhimi.
Pra, taksat tek ne po rriten në një drejtim që vetëm depozitohen para në buxhet të shtetit. Ndërsa krahas saj, janë krijuar xhepat e tregtisë së paligjshme. Dhe në rast se ne para tre vitesh, katër vitesh Ministria e Bujqësisë thotë që ne kemi mbjellim 2.500 tonë duhan në vend, dhe 1.100 ton shkon jashtë.
Kjo shifër nuk po ndryshon. Katër, pesë vite Ministria e Bujqësisë jep të njëjtën shifër. Dhe në këtë drejtim, pjesa tjetër 1.400 tonë është ajo sasi që është tregti e paligjshme. Dhe humbja e çdo viti në buxhetin e shtetit nga nga nga produktet e duhanit është 100 milionë euro. Fiks 100 milionë euro. Në mos më tepër se 100 milionë.
Pra është një, është një alarm. Ti mund t'i rritësh taksat për për kompanitë e rregullta, po mos krijofsh këto xhepa.
Në qoftë se ne themi që qëllimi i rritjes së taksave është për të mbrojtur shëndetin publik në radhë të parë dhe për të rritur të ardhura në buxhet dhe shtet, vetëm shëndetin publik ne nuk po e mbrojmë. Ama të ardhurat për buxhet dhe shtet po shtohen dhe këto po dalin nga xhepat e konsumatorëve shqiptarë".
© SYRI.net