Nika paralajmëron shkatërrimin e lumenjve: Kanë humbur natyralitetin! Shkumbini, Drini e Devolli më të dëmtuarit

09:50, 28/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", ekspertin mjedisor Olsi Nika, ambientalist, foli mbi gjendjen alarmante të lumenjve në Shqipëri dhe Ballkan, duke e renditur vendin në krye të listës për degradimin e rrjedhave ujore.

Sipas tij, raporti i fundit studimor tregon se rreth 28% e lumenjve në Shqipëri, ose mijëra kilometra, kanë humbur natyralitetin e tyre, një humbje që është e pakthyeshme dhe ka sjellë dëme të mëdha për ekosistemet dhe biodiversitetin. Nika theksoi se ndërhyrjet për ndërtimin e hidrocentraleve dhe infrastrukturës kanë shkatërruar ekosistemet natyrore, duke krijuar pasoja negative për komunitetet lokale që varen nga lumenjtë për bujqësi dhe turizëm, dhe përkthehen në rreziqe të mëdha për të ardhmen.

Gjithashtu, Nika paralajmëroi se ndërhyrjet për ndërtimin e digave, megjithëse shpesh promovohen si një zgjidhje për energjinë e pastër, kanë një ndikim shkatërrues për mjedisin dhe komunitetet lokale

. Ai theksoi se ndërtimi i hidrocentraleve ka krijuar një "efekt domino" negativ, që rrit rrezikun nga përmbytjet dhe thatësirat, duke e bërë këtë zhvillim një kërcënim për stabilitetin ekonomik dhe ekosistemin. Në këtë kontekst, ai kërkoi një qasje të balancuar për energjinë, që përfshin diversifikimin e burimeve, për të shmangur pasojat afatgjata për mjedisin dhe shoqërinë.

Fjala e tij:

Ky raport studimor është një raport që ne e përgatitim një herë në dy vjet, pra e përditësojmë. Raporti i këtij viti, që doli në fund të vitit 2025, është një raport krahasimor mes të parit dhe të fundit që kemi zhvilluar. Po ta vësh re, rajoni i Ballkanit ka humbur një pjesë të madhe të natyralitetit të lumenjve, por për fat të keq, vendi i parë në këtë aspekt mbetet Shqipëria.

Siç e theksuat edhe ju në insertin tuaj, ka një kontradiktë të madhe mes mbrojtjes që qeveria shqiptare ka vendosur të bëjë për lumin e Vjosës dhe asaj që është humbur gjatë këtyre 10 viteve. Dhe nuk po flasim për pak; po flasim për një humbje prej 28%, që përkthehet në disa mijëra kilometra lumë, të cilat kanë qenë në gjendje natyrore dhe tani janë modifikuar, herë-herë në mënyrë të pakthyeshme. Një shembull konkret është lumi i Devollit, ku është ndërtuar kaskada e hidrocentraleve të Banjës, Moglicës, etj.

Nga ana tjetër, edhe lumenj të tjerë kanë pësuar dëmtime të ngjashme. Shkumbini është gjithashtu një nga lumenjtë më të dëmtuar, dhe po ashtu Drini. Ky dëm ka ardhur sidomos si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve, por jo vetëm për këtë arsye. Ndërhyrjet për ndërtimin e infrastrukturës kanë ndikuar gjithashtu në modifikimin dhe de-natyralizimin e lumenjve.

Të gjitha këto janë të ndërthura, por ajo që bie më shumë në sy është dëmtimi i vlerave natyrore dhe të biodiversitetit. Fizionomia e popullatave të këtyre ekosistemeve të ujërave të ëmbla ka ndryshuar. Kjo, veçanërisht për shkak të ndërtimit të digave dhe ngushtimit të lumenjve, mund të ketë pasoja negative jo vetëm për mjedisin, por edhe për mirëqenien e komuniteteve lokale. Kjo mund të shfaqet ndoshta me kalimin e kohës, por do të përkthehet në një faturë më të lartë për ekonominë lokale dhe qendrore, kur të merren parasysh kompensimet për përmbytjet, thatësirën, ose pamjaftueshmërinë e ujit për mbajtjen e sektorëve të tjerë të ekonomisë, si bujqësia ose turizmi.

Ky është një efekt domino negativ, dhe ndërhyrjet e pakthyeshme në këto ekosisteme delikate janë një kërcënim. Për hir të së vërtetës, këto ekosisteme janë në një proces zhdukjeje masive globalisht. Duket se, në këtë kuadër, sistemi lumor që paraqet më shumë rrezik dhe pasoja është Drini i Bunës, për shkak të ndërtimit të hidrocentraleve. Kjo është e provuar, pasi studimet vazhdojnë të theksojnë se ndërtimi i një dige në lumë nuk e parandalon përmbytjen, por përkundrazi, ndikon në përkeqësimin e saj, duke e bërë edhe më të rëndë për shkak të akumulimit të ujit dhe uljes së kapacitetit të rezervuarëve pas digës.

Një tjetër faktor është sedimentimi, i cili mbush rezervuarët dhe ul kapacitetin e tyre mbajtës, duke bërë që përmbytjet të ndodhin më shpesh dhe të jenë më të forta. Edhe pse hidroenergjia është një burim energjie i pastër në aspektin e emetimit të karbonit, ajo është një nga metodat më shkatërruese për biodiversitetin dhe për komunitetet lokale.

Në lidhje me energjinë, është e vërtetë që Shqipëria ka bërë hapa përpara. Aktualisht, përveç hidroenergjisë, ka edhe energji diellore që kontribuon në buxhetin energjetik të vendit. Por, edhe në këtë rast duhet pasur kujdes, sepse ndërtimi i parqeve fotovoltaikë në zona të ndjeshme mjedisore mund të dëmtojë habitate natyrore. Pra, një qasje e balancuar është e domosdoshme.

Përfundimisht, energjia hidroelektrike mund të kontribuojë në prodhimin e energjisë, por ne nuk mund të mendojmë që gjithë energjia jonë do të bazohet vetëm në hidrocentrale. Duhet të gjejmë një balancë për të mbrojtur mjedisin dhe biodiversitetin, ndërkohë që plotësojmë kërkesat energjetike të vendit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco