Situata në fshatin Kutë po ngre shqetësime serioze, pasi rezervuari vaditës i zonës po mbushet me inerte në një periudhë kur duhet të grumbullojë ujë për sezonin e verës. Banorët paralajmërojnë se kjo situatë rrezikon vaditjen e rreth 500 hektarëve tokë bujqësore dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet shtetërore.
SYRI TV
Në këtë periudhë të stinës së dimrit, kur rezervuarët duhet të grumbullojnë sa më shumë ujë për nevojat e verës, banorët e fshatit Kutë denoncojnë një situatë shqetësuese. Sipas tyre, rezervuari vaditës i zonës po përdoret si vend depozitimi për mbeturina inerte, duke rrezikuar seriozisht kapacitetin e tij.
Banorët shprehen të alarmuar dhe ngrejnë dyshime se hedhja e inerteve po bëhet me dijeni apo nga vetë strukturat e bashkisë, në një kohë kur, sipas tyre, rezervuari duhet të pastrohet dhe jo të mbushet.
Ky rezervuar shërben për vaditjen e rreth 500 hektarëve tokë bujqësore, të cilat i përkasin dy fshatrave.
Sipas banorëve, nëse situata vijon kështu, gjatë verës do të ketë mungesë të theksuar uji, duke rrezikuar prodhimin bujqësor dhe jetesën e dhjetëra familjeve.
Hedhja e inerteve ka bllokuar edhe tubin shkarkues që përdoret kur rezervuari tejmbushet dhe në verë për daljen e ujit për vaditje.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, pastrimin e menjëhershëm të rezervuarit dhe marrjen e masave konkrete për ta mbrojtur atë.
© SYRI.net