Librazhd/ Shembje masive dheu në fshatin Spathar, 7 banesa të dëmtuara, familjet pa zgjidhje

12:37, 20/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prej katër ditësh, një shembje masive e dheut në fshatin Spathar të bashkisë Librazhd ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në shtatë banesa të zonës, ndërsa tre prej tyre janë kthyer thuajse të pabanueshme.

Përveç dëmeve materiale, situata paraqet rrezik serioz për jetën e banorëve, të cilët jetojnë çdo moment me frikën se toka mund të rrëshqasë sërish dhe t’i zërë brenda banesave.

Banorët e zonës shprehen për Syri TV se prej katër ditësh nuk flenë të qetë, pasi çdo lëvizje e dheut shton ankthin dhe pasigurinë për jetën e tyre dhe të familjarëve.

Për Syri TV, familja Leka tregon se në momentin e rrëshqitjes së dheut sapo ishin kthyer në shtëpi nga toka ku ndodhi shembja dhe se u tmerruan nga ajo që panë.

Banorët theksojnë se nga ana e institucioneve vendore nuk është marrë asnjë masë konkrete. Sipas tyre, janë kryer vetëm disa matje mëngjesin e sotëm, ndërsa zgjidhja e vetme e ofruar ka qenë sistemimi me qira.

Ata shprehen se kjo është e pamundur, pasi jetesën e sigurojnë vetëm nga bagëtia dhe nuk kanë ku t’i lënë ato për t’u larguar nga zona.

Familjarët thonë se i gjithë mundi i një jete dhe puna në emigrim kanë shkuar dëm, pasi në këto banesa nuk mund të jetohet më.

Ata i bëjnë thirrje shtetit që të kompensojë dëmet e shkaktuara, në mënyrë që të kenë mundësi të ndërtojnë një banesë të re në një zonë të sigurt dhe larg rrezikut.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco